Ministria s’i realizoi as gjysmën e projekteve në trashëgimi kulturore

Prishtinë | 04 Jan 2017 | 09:57 | Nga

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ia ka dalë që të realizojë as gjysmën e investimeve kapitale të parapara për vitin 2016 në fushën e trashëgimisë kulturore. Janë 1 milion e 260 mijë euro, të cilat ishin planifikuar për këto projekte dhe kanë mbetur të pashpenzuara.

Zyrtarët ministrorë japin arsye të ndryshme sa i përket kësaj çështjeje. Disa prej projekteve ishin planifikuar qysh në fund të vitit 2015, kur edhe ishte bërë planifikimi i buxhetit për vitin 2016, përderisa një pjesë e tyre janë planifikuar gjatë procesit të rishikimit të buxhetit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjithsej kanë qenë 20 projekte kapitale në këtë fushë dhe 11 prej tyre nuk janë realizuar. Restaurimi dhe konservimi i Shtëpisë së Xhafer Devës, studimi i fizibilitetit për Muzeun e Natyrës, përfundimi i punimeve në kishat ortodokse, restaurimi i Kullës së Nuhi Berishës në Kamenicë, restaurimi i Shtëpisë së Mahmut Agë Gjinollit në Vushtrri, trajtimi i shtëpive në zonat e vjetra në lagjet “Bajrakli” dhe “Kurille” në Prizren, restaurimi dhe konservimi i objekteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike në Prizren, rregullimi i Shtëpisë së masakrës në Krushë të Madhe në Rahovec e rregullimi i Kullës së Iliaz Kodrës në Prekaz, janë projektet konkrete që nuk janë realizuar gjatë vitit të kaluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme