Ministrja Dumoshi i ndan mirënjohje stilistes Lirika Matoshi

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësin Halil Matoshi, pritën në takim stilisten e njohur shqiptare, Lirika Matoshi e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ditëve të fundit koleksioni i ri i veshjeve nga stilistja Matoshi me motiv të luleshtrydheve është bërë pjesë e artikullit në një prej gazetave më prestigjioze amerikane, The New York Times.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur për suksesin e stilistes Matoshi e cila ka arritur të bëhet pjesë e industrisë së modës në Amerikë duke sjellë me stilin unikal, dizajne që influencojnë kohët moderne.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi i ndau stilistes një mirënjohje në emër të saj si Ministre e Kulturës, për përfaqësimin e mirë që po i bën Kosovës në botë, me motivacionin “për punën e saj brilante në fushën e dizajnit dhe modës, në përmasa globale, duke e ngritur lartë emrin e Kosovës”.

Ministrja u shpreh edhe më e lumtur për suksesin e vajzave të Kosovës në Evropë e SHBA, emri i të cilave spikatet çdo ditë e më tepër në fushën e artit, muzikës e modës.

Stilistja Lirika Matoshi shpalosi detaje për veshjen e cila tha se bazohet në vetë kujtimet e saj të rinisë dhe e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe njohjen që po i bën punës e artit të saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme