MKRS-ja ndan çmimet për Teatër, regjisori i ndjerë Bekim Lumi – më i miri për vitin 2018

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 12:10 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ditën Botërore të Teatrit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Teatër për vitin 2018, raporton Ekonomia Online.

Gashi ka thënë se MKRS-ja do të ndajë 5 çmime, sipas vlerësimit të jurisë profesionale.

“Besoj që juria ka dhënë çmimet në mënyrë të drejtë. Shpresoj që krijimtaria e juaj të vazhdojë gjatë tërë jetës në fushën e teatrit. Ne si ministri po mundohemi që t’i ndajmë çmimet për çdo fushë që ka të bëjë me kulturë në mënyrë që Kosova të promovohet”, tha Gashi.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, iu nda aktorit Sabedin Shahiqi. Aktori Shahiqi ka kontribuar në zhvillimin e teatrit në Kosovë, nga viti 1971 e deri më sot, ka luajtur në katër role në teatër, film e televizion dhe shumica prej tyre ishin role bartëse.

Ndërkaq, Çmimi Vjetor për Shfaqjen më të Mirë, iu nda Teatrit Kombëtar të Kosovës, për shfaqjen “Arturo Ui”. Kjo shfaqje është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon me realitetin në të cilin kalon Kosova. Shfaqja kalon finesë thellësi, guxim dhe art të nivelit të lartë.

Çmimi Vjetor për Regjinë më të Mirë, iu nda regjisorit Bekim Lumi – Post Mortum, për regjinë e shfaqjes “Arturo Ui” –Teatri Kombëtar i Kosovës. Suksesi i kësaj shfaqjeje është arritur kryekëput në saje të regjisë së nivelit të lartë, ku regjisori Lumi ka dëshmuar profesionalizëm dhe inovacionin e sjellë në skenë në mënyrë mjeshtërore.

Çmimi Vjetor për aktorin më të Mirë, iu nda aktorit Mentor Zymberaj për rolin e “Hamleti” në shfaqjen ”Ëndërrta e Hamletit. Mentor Zymberaj në rolin e Halmetit u vlerësua, u nderua dhe u shpërblye për lojën e tij brilante.

Për Çmimin Vjetor për Prezantim të Suksesshëm Ndërkombëtar, për vitin 2018, kishte vetëm një nominim dhe ky çmim iu nda Shtëpisë Teatrore Filmike – AKT. AKT realizoi 8 prezantime ndërkombëtare në festivale prestigjioze.

Ndërkaq, fituesit e këtyre çmimeve falënderuan ministrin Gashi për përkrahjen e vazhdueshme dhe marrjen e çmimeve edhe ata e vlerësuan si një mirënjohje institucionale dhe një inkurajim për të punuar edhe më shumë në krijimtarinë e tyre artistike.

Shënimi i Ditës Botërore të Teatrit është iniciuar në Kongresin e 9-të Botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror (INT) të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezoni i “Teatrit të Kombeve” në Paris.

Të ngjashme