“Monet” sjell ofertën pranverore që e afron artin me blerësin

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 08:32 | Nga

Në kryeqendër, pak metra larg sheshit të zhurmshëm, në galerinë me hapësirë të vogël, janë tubuar vepra të artistëve të mëdhenj. Emrat si Rexhep Ferri, Musa Kalaveshi, Eshref Qahili, Adem Rusinovci, Zake Prelvukaj e Veli Blakçori janë shkruar anash veprave të artit që janë nxjerrë në shitje.

Ato gërshetohen me krijime të artistëve të rinj që kanë nisur rrugëtim të mbarë.

“Panairi pranveror i artit 2018”, në Prishtinë, organizuar nga “Monet Art & Books”, është një ngjarje e veçantë. Të enjten mbrëma hapi dyert për vizitorë. Organizohet për të parën herë dhe tubon 38 autorë të njohur shqiptarë, mes të cilëve piktorë, grafistë, skulptorë e fotografë.

Blerta Surroi, themeluese e “Monetit”, ka thënë se ky është panairi i parë i organizuar nga galeria “Monet”.

“E kemi quajtur ‘Panairi pranveror i artit’”, ka thënë ajo, duke shtuar se në këtë panair janë tubuar vepra të 38 artistëve.

“Ka shumë panaire që bëhen në Kosovë, por panair të artit s’ka. Kështu që kjo është një iniciativë. Një nismë e vogël por që mendojmë ta bëjmë tradicionale”, ka thënë ajo.

“Ideja ka qenë t’i mbledhim të gjitha ato punime që një artist do të mundë t’i shiste për 100 apo 200 euro”, ka thënë Surroi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme