Mustafa: Trashëgimia arkeologjike në Ulpianë vlerë e veçantë

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 15:37 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Parkut Arkeologjik “Ulpiana”.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, ambasadori i Francës, Didier Chabert, arkeologë, studiues dhe studentë të shumtë të kësaj fushe, kryeministri Mustafa, tha se trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e secilit qytetar të saj.

“Trashëgimia kulturore e Kosovës është vlerë e Kosovës dhe vlerë e secilit qytetar të saj. Ajo është e gjithë botës sepse ka vlera universale për njerëzimin mbarë. Prandaj, secili qytetar duhet ta ruajë trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe ta gëzojë e ta shijojë atë. Kosova mburret me këtë trashëgimi kulturore prej kohërave më të vjetra e deri më sot. Kosova, po ashtu, mburret me trashëgimi të larmishme të krijuar gjatë mijëvjeçareve dhe shekujve të kaluar nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar në këto treva. Kjo është trashëgimi e Kosovës dhe duhet të mbrohet, të ruhet sepse na përket të gjithë neve”, tha kryeministri.

Mustafa gjithashtu tha se Trashëgimia kulturore e Kosovës dhe trashëgimia arkeologjike si kjo në Ulpianë, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, do të vazhdojnë të përkrahin institucionet e trashëgimisë kulturore, duke ngritur buxhetin dhe duke rregulluar fushën e trashëgimisë kulturore me ligje, akte nënligjore, strategji e reformime institucionale”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa, së bashku me ministrin Shala, kryetarin Kostiq dhe ambasadorin Chabert bënë zbulimin e pllakës së Parkut Arkeologjik.

ulpianaisa-mutafakujtim-shalaunnamedparku-ulpianes

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme