Muzeu Perandorak i Luftës në Londër sjell 50 vepra në ekspozitën kontroverse

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 16:47 | Nga

Zhurma e përplasjes së topit nëpër muret e apartamentit gradualisht zëvendësohet me atë të bombave, derisa loja e fëmijës përfundon në finale, me një ulërimë shurdhuese.

Videoja e Khaled Abdulwahed “Tuj” – e inspiruar nga kthimi i artistit nga Damasku – është referencë eksplicite për realitetin e komplikuar të luftës dhe të mbijetesës së atyre që gjenden midis saj.

Një prej 50 veprave në zhanre të ndryshme të cilat janë bërë bashkë në ekspozitën kontroverse në “Imperial War Museum” të Londrës është filmi i Abdulwahed, i cili përmbush qëllimin e tij provokues në pesë minuta plot tension – duke i lënë kështu shikuesit që të rimëkëmben pas tronditjes që shohin, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e AlJazeeras. Natyra e çrregullt e konfliktit bashkëkohor dhe mirëkuptimi i hutuar i saj, janë tema qendrore e ekspozitës “Ago of Terror: Art since 9/11”, e cila u hap në tetor të vitit 2017 dhe do të jetë e hapur deri më 28 maj. Deri më tani ka tërhequr më shumë se 12 mijë e 500 vizitorë.

Rebecca Newell, kryesuese e departamentit të artit në IWM, ka thënë se ekspozita u përgjigjet dëshirave të vizitorëve të muzeut teksa përthekon imazhin e konflikteve bashkëkohore dhe ka arritur që të tërheqë një lloj tjetër të audiencës.

“Trajton standarde të gjera të veprave nga artistë të cilët trajtojnë çështje që lidhen me konfliktin bashkëkohor – lloje të reja të konfliktit që nuk janë lehtë të kategorizohen si e kaluar”, ka thënë Newell. “Është shumë e drejtë të thuhet se terrori nuk është çështje e re dhe nuk është subjekt i ri – por ne kemi zgjedhur 9/11 për shkak se ajo ngjarje na jep fokus në konfliktin bashkëkohor si kundërshti për veprat që vijnë nga periudha të ndryshme të historisë”, ka shtuar ajo.

Shumica e veprave të ekspozuara janë tejet provokuese.

Në veprën “White House”, artistja afgane Lida Abdul lyen me gëlqere rrënojat e ish-pallatit presidencial në Kabul për të nënvizuar dëmin e paparë të shkaktuar nga dy dekada luftë.

“Saddam is Here” e Jamal Penjweny mbulon fytyrat e irakianëve me fotografi të liderit të shkarkuar për të ngjallur trashëgiminë e tij të fshehtë.

Walid Siti dhe Hanaa Maiallah kanë përdorur harta për të treguar pasojat e shkatërrimit të luftës në Irak. Hrair Sarkissian rikrijon shkatërrimin në një apartamenti në Damask, vendin ku prindërit e tij kanë jetuar.

E hapur në kuadër të njëqindvjeçarit të IWM si ekspozita më e madhe e artit bashkëkohor, “Ago of Terror” niset nga sulmet e 11 shtatorit në SHBA. Përderisa sulmi i “World Trade Centers” në New York në vitin 2001 ofron një vrojtim tjetër të perëndimit mbi konfliktin, ky koleksion eksploron shkatërrimin në shoqërinë perëndimore e po ashtu edhe dhunën dhe tmerrin që kanë kaluar të tjerët që nga ajo kohë.

Në një deklaratë të fuqishme për kundërthënien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përballë vuajtjeve, artisti gjerman Fabian Knecht ka filmuar veten duke ecur rrugëve të New Yorkut i veshur me një kostum të mbuluar me pluhurin nga bomba vetëvrasëse në vitin 2014 në Irak.

Vepra ‘Nein!Eleven?” e Jake dhe Dinos Chapman grumbullon trupat e ushtarëve nazistë në një gropë groteske apokaliptike e cila të rikujton “World Trade Center”. Kamera e mermertë për mbikëqyrje e artistit kinez Ai Weiwei simbolizon erozionin e të drejtave të njeriut, derisa “216 Westbound” e Shona Illingworth eksploron rolin e medias në mbështetje për kufizimet e të drejtave.

Artistët eksplorojnë torturën në burgun amerikan “Abu Gharib” dhe videoja e fuqishme e Coco Fuson në mënyrë brilante demonstron marrjen traumatike në pyetje që është bërë në Guantanamo.

Në sektorin e armëve, artistët paraqesin përdorimin e fosforit të bardhë nga Marina e SHBA-së në Fallujah dhe disa vepra të tjera tërhoqën vëmendjen mbi sulmet amerikane me dron.

Fuqia e kësaj ekspozite, sipas Newel, është për faktin se shërben si zëri i qytetit.

“Në fakt ka pikëpamje goxha të balancuar në shumë çështje që janë ngritur, dhe nëse ka një anë negative, është pikërisht ajo që këto vepra ngjallin”, ka thënë Newel.

Derisa është tunduese të vihet në përfundim se ekspozita trajton çështjen e fajit, Newell thotë se ky nuk ka qenë qëllimi për të adresuar vëmendjen.

“Ekspozita ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes për kompleksitetin e këtyre situatave dhe në fakt drejtimin e njerëzve nga ngjarjet, sepse nuk është veçanërisht e dobishme kur shikohen konfliktet bashkëkohore”, ka thënë ajo. “‘Age of Terror’ nuk ka të bëjë me thurjen e historisë, ka të bëjë me përgjigjet e artistëve për ngjarjet e 11 shtatorit dhe asaj që ka ndodhur më pas, e ne përfshijmë tema për kufijtë të cilët shoqëria jonë i ka ndryshuar si rezultat i kësaj”, ka shtuar ajo.

Ndjenja që nuk ka përgjigje të thjeshta për pyetjet e ngritura nga konflikti modern është përmbledhur nga “Bound” të John Keane – imazh i një kostumi ngjyrë portokalli adresuar pengjeve në videot e realizuara nga Shteti Islamik në Irak dhe Levant, dhe disa vepra për të hyrë në mendjen e “terroristit”.

Reagimet ndaj “Age of Terror” kanë qenë të ndryshme, me kritika ku thuhet se janë bërë pohime tepër të mëdha apo se artistët thjesht nuk kanë qenë në gjendje të kapin pafundësinë e asaj që ka ndodhur më 11 shtator.

Profesori Julian Stallabrass nga “Courtauld Instiute of Art” në Londër, ekspert i fotografisë së luftës, ka vlerësuar diversitetin e veprave të ekspozuara, por ka vënë në pikëpyetje qëllimin.

“Një student i imi ka thënë se një formë e kritikës për këtë ekspozitë do të ishte se duke filluar nga 11 shtatori e bën të duket sikur terrori ka ardhur nga askund dhe jo larg historisë së shtypjes dhe kolonializmit – mendoj se kjo është një formë e fuqishme për ta shikuar këtë ngjarje”, ka thënë Stallabrass. Ai, po ashtu, ka thënë se derisa “terrorizmi”, njëjtë sikurse arti, është i vështirë për t’u definuar, ekspozita në përgjithësi miraton një qëndrim kritik ndaj përgjigjeve të 11 shtatorit.

“Terrori dhe terrorizmi janë terme tejet të vështira për t’u kapur, por megjithëse nuk ishte mjaft e qartë, implikimi ishte sigurisht se terrori shtetëror është po aq sa ai i terroristëve”, ka thënë Stallabrass.

Të ngjashme