Ndahen 3 4 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të Janjevës

Prishtinë | 24 Nën 2021 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se janë ndarë 3.4 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe zhvillimi ekonomik të Janjevës.

Nga këto fonde, 1.4 milionë janë ndarë nga kjo ministri dhe dy milionë nga fondet IPA 2020 e Bashkimit Evropian.

“Në këtë drejtim, jam i lumtur që sot kemi vendosur hapin drejt zbatimit të projektit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Janjevës. Ky projekt ka mbështetje financiare në vlerë prej 3.4 milionë euro, ku nga këto 1.4 milionë euro ndahen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe 2 milionë euro nga fondet IPA 2020 të Bashkimit Europian. Zbatimi i projektit është planifikuar për vitet 2021-2024, dhe bëhet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë”, ka shkruar Çeku në Facebook.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e cila i kontribuon forcimit të ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit tonë, duhet të trajtohet si proces kompleks, i cili fillon me mbrojtje ligjore, vlerësim profesional dhe ndërhyrje fizike. Ky proces kompleks vazhdon me ngritje të kapaciteteve njerëzore, dhe me ngritje të vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë, e deri te mekanizmat e menaxhimit efikas që do të sigurojnë ringjalljen socio-ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal”, ka vazhduar tutje ai.

Sipas ministrit Çeku në kuadër të këtij projekti përfshihen tri komponentë kryesorë, ajo e integrimit të trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor, mbrojtja e trashëgimisë kulturore përmes restaurimit, zhvillimi ekonomik përmes promovimit të turizmit të qëndrueshëm.

“Gjatë këtij projekti parashihen hartimi i strategjisë për zhvillim të kulturës dhe turizmit rural, hartimi i planeve të menaxhimit për qendrën historike të Janjëvës, dhe shtëpinë muze të At Shtjefën Gjeqovit, restaurimi i 13 shtëpive të vjetra, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të komunitetit lokal për zhvillim të qëndrueshëm, dhe promovimi i ofertave kulturore dhe natyrore që i ofron Janjeva, për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit kulturor”, ka përfunduar ministri.

Të ngjashme