“Në kërkim të Venerës” rrëmben dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut

Prishtinë | 11 Pri 2021 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi i gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me regji dhe skenar nga Norika Sefa ka fituar çmimet regjisorja më e mirë “Golden Firebird Award”, dhe aktorja më e mirë “Best Actress International” në Festivalin ndërkombëtar të Hong Kongut, për rolin kryesor të interpretuar nga Kosovare Krasniqi.

Regjisorja Sefa ka thënë me këtë rast se çmimet i japin vetëbesim për stilin dhe e motivojnë për më shumë punë në të ardhmen.

”Në momentin që e pranova lajmin për çmimet, më është dashur pak kohë të mendoj për shumë gjëra të cilat na erdhën në rrugë e sipër, u bëmë pjesë e këtij filmi dhe vendime që u bënë pjesë e këtij momenti kur unë tani po e pranoj çmimin si regjisorja më e mirë në mes të regjisoreve e filmave të mrekullueshëm. Kjo më jep vetëbesim për stilin që kam dhe më motivon për punë të mëtutjeshme”, ka thënë regjisorja Norika Sefa.

Festivali Ndërkombëtar i Hong Kong-ut është festivali më i famshëm për arthouse në Azi, njëherësh edhe festival i kategorisë A.

Disa nga emrat që kanë kaluar nëpër këtë festival janë: Ann Hui, Kurosaëa Kiyoshi, Jia Zhangke, Brillante Mendoza, Nakata Hideo, Tsai Ming-Liang, and Apichatpong Weerasethakul, etj.

Aktorja Kosovare Krasniqi ka falënderuar regjisoren dhe producentin e filmit që i kanë besuar për film.

“Falënderoj shumë regjisoren dhe producentin e filmit që e kane besuar për këtë vepër dhe që më prezantuan me botën e filmit, rrjedhimisht më njoftuan me audiencën e botës”, ka thënë aktorja Kosovare Krasniqi.

Ndërkaq, producenti Besnik Krapi ka thënë se i janë përkushtuar shumë filmit.

“Unë veç di dhe dua të duartrokas për çdo çmim tjetër që do të na vijnë. Kemi besu shumë në Venerën dhe vazhdojmë të besojmë njëjtë sepse kemi dhënë shumë përkushtim e dashni në të”. u shpreh producenti Besnik Krapi .

“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme