“Në Kosovë me dashuri”, për Ditën Kombëtare të Çekisë

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 09:34 | Nga

Me rastin e Ditës Kombëtare të Çekisë, Ambasada e saj në Prishtinë, do të ekspozojë fotografitë që ilustrojnë përditshmërinë e vërtetë të jetës, në Prishtinë dhe në vendbanimet tjera në Kosovë. Këto fotografi janë vepra të Albert Pich – autor i njohur çek për fotografitë në rrugë, të bëra gjatë tetë viteve të qëndrimit në Kosovë.

Kjo foto ekspozitë është titulluar “Në Kosovë me dashuri”, një titull që i referohet motos së Presidentit Vaclav Havel:

“E vërteta dhe dashuria duhet të mbizotërojnë ndaj gënjeshtrës dhe urrejtjes”. Fotografitë që do të ekspozohen, të realizuara në stilin e fotografive të bëra në rrugë, hapin zemrën e shikuesit dhe e bënë atë pjesë të skenës së vërtetë në rrugë, pa e lënë mundësinë e dyshimit për mashtrim.

Sipas njoftimit, koncepti i ekspozitës së zhvilluar nga Ambasada e Çekisë është menduar si një reflektim natyral artistik mbi një iniciativë të mirëfilltë të Kosovës #InstaKosovo (hapësirë kreative e diplomacisë alternative të Kosovës e nisur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Kjo nismë përdorë kanalet e reja për komunikim, kryesisht në mesin e të rinjve, për të përhapë një porosi me mjete jo-verbale).
Ekspozita përbëhet prej 32 fotografive bardhë e zi. Këto fotografi do të ekspozohen në 16 panele me dimensione 1,6 x 2m., në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës, si pjesë e pritjes për Ditën Kombëtare të Çekisë do të bëhet sot në orën 18.00, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2016.

Albert Pich, artist nga Çekia, i njohur për fotografitë në rrugë – portreti i të cilit ekziston vetëm nga ana e prapme, është themelues dhe administrator i foto-grupit “Street photo is not just click in the street…” (“Fotografia e bërë në rrugë nuk është vetëm një shkrepje në rrugë”) me 900 anëtarë. Disa nga fotografitë e tij nëpër rrugë janë publikuar në foto galerinë e SHBA-ve “Pure Street photography”.

Ai ka punuar në Kosovë nga viti 2007 deri më 2015.

Ambasadori i Çekisë do të mbajë fjalën e hapjes.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/arte/ambasada-ceke-hap-foto-ekspoziten-ne-kosove-dashuri/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme