Në mbështetje të “Manifesta 2022”, Bienales Evropiane në Prishtinë

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Prishtina është në hapin përfundimtar para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e Bienales Evropiane të Artit Bashkëkohor në vitin 2022, të njohur si “Manifesta”. Megjithëse Prishtina ka konkurrencë Vjenën dhe Kievin, gjasat janë të mëdha që të fitojmë e që ky organizim të realizohet në Prishtinë. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë e mbështet Bienalen “Manifesta”.

Organizimi i Bienales “Manifesta” në Prishtinë do të mundësonte ardhjen e mbi 200,000 vizitorëve ndërkombëtarë në Prishtinë, si dhe prurjen e dhjetra miliona euro në ekonominë e Kosovës në format nga më të ndryshme. Duke qenë nikoqire e Bienales “Manifesta”, Prishtina do të kthehej në një kryeqendër evropiane të kulturës, ku emrat më të njohur të artit dhe arkitekturës do të realizonin projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur – si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas, etj. – do të bënin projekte për zhvillimin e Prishtinës. Emra me ndikim në artin botëror gjithashtu do të gravitonin në kryeqytetin tonë për këtë ngjarje. Prishtina do të përfitonte edhe investime në infrastrukturë, duke rehabilituar hapësira kulturore, e duke ndërtuar hapësira të reja publike.

Në këtë fazë, ka mbetur të sigurohet vetëm garancia bankare nga Qeveria e Kosovës dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Komunën e Prishtinës, në mënyrë që Prishtina të shpallet zyrtarisht si nikoqire e Bienales Evropiane “Manifesta” në vitin 2022. Andaj, kërkojmë dhe i bëjmë apel pushtetit Qendror dhe Lokal që të ndërmarrin sa më parë të gjithë hapat e nevojshëm që mundësojë finalizimin e marrëveshjes, përfshirë këtu edhe garancinë bankare për këtë organizim, dhe lehtësimin e të gjitha procedurave.

Ky projekt i takon qytetit të Prishtinës, dhe gjithë Kosovës. Duhet bërë çmos që çdo pengesë të eliminohet dhe çdo bllokadë të rrëzohet, që të kemi në Prishtinë Bienalen Evropiane “Manifesta”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme