Neandertalët, megjithatë, ishin piktorët e parë evropianë

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 16:20 | Nga

Autorët e pikturave më të vjetra të shpellave në botë nuk ishin njerëz modernë, por neandertalë. Kjo do të thotë se kushërinjtë tanë të zhdukur, megjithatë, nuk ishin njerëz të egër e të pakulturuar, tregoi hulumtimi i kryer në tre vende në Spanjë dhe më pas i publikuar në revistën prestigjioze “Science”.

Me aplikimin e teknologjisë moderne, shkencëtarët konstatuan se fotografitë që janë gjetur në tri vende në Spanjë janë shfaqur të paktën 64.800 vjet më parë, që do të thotë 20.000 vjet para se njerëzit e parë modernë nga Afrika erdhën në Evropë, transmeton koha.net.

Me këtë arti shpellor daton shumë më herët sesa që mendohej gjatë gjithë kohës, dhe gjithashtu është dëshmi e fortë se neandertalët kishin aftësi kognitive për ta kuptuar përdorimin e simboleve, gjë që e paraqet një shtyllë qendrore të kulturës njerëzore.

“Kjo është dëshmi që e ndryshon klasifikimin aktual të neandertalëve në kategorinë e njerëzve të hershëm, të cilët nuk kanë pasur aftësi për shprehje artistike”, tha Alistair Pike, profesor i arkeologjisë në Universitetin në Southampton, i cili është edhe një nga autorët e studimit. “Pikturimi është konsideruar gjithmonë një aktivitet njerëzor, kështu që nëse neandertalët kanë pikturuar kjo do të thotë se ata ishin ashtu si edhe ne”.

Edhe më parë disa arkeologë konkluduan se neandertali ishte pak më i sofistikuar se karikatura e njeriut të sotëm, por për pohime të tilla mungonin provat kryesore, ndërsa tani ekzistojnë gjetje nga këto tri shpella në Spanjë, të cilat për këto spekulime ofrojnë bazë të fortë.

Pikturat e shpellave në lokacionet Maltravieso, La Pasiega dhe Ardales përfshijnë pika, vija, rrathë dhe modele, ndërsa për të krijuar diçka të tillë duhej të përvetësoheshin aftësi të veçanta, si përzierja e pigmenteve, apo edhe përzgjedhja e lokacioneve të përshtatshme për pikturim.

Këta neandertalë jetonin në zonat të cilat një ditë do të sillnin piktorë të famshëm si, Pablo Picasso dhe Diego Velazquez, ndërsa për të krijuar vizatime të cilat sot ruhen në shpella ata është dashur të kenë aftësi intelektuale për të menduar në simbole, ashtu si njerëzit modernë.

Shkencëtarët për vlerësimin e vjetërsisë së pikturave e kanë përdorur metodën e datimit preciz radioizotopik uran-torium, ndërsa kjo e nënkupton gërryerjen e disa miligramëve të depozitave të karbonat kalciumit nga pikturat për ta kryer analizën.

Një tjetër studim i publikuar në “Science Advances” tregoi se guaskat e zbukuruara të detit të gjetura në një shpellë tjetër në Spanjë, gjithashtu, rrjedhin nga koha para ardhjes së njeriut modern.

Joao Zilhão nga Universiteti i Barcelonës vlerësoi se hulumtimet e reja të njohjes njerëzore duhet t’u kthehen nga e para paraardhësve të përbashkët të neandertalëve dhe njerëzve modernë më shumë se 500.000 vjet më parë.

Neandertalët u zhdukën 40.000 vjet më parë, pak pasi që paraardhësit tanë të drejtpërdrejtë arritën në Evropë. Ende është e paqartë se çfarë i ka vrarë ata, ndërsa disa teori flasin për mungesën e përshtatjes me ndryshime klimatike dhe konkurrencën e fortë me njerëzit modernë.

Po të mbijetonin, mendon Pike, ata sigurisht do të kishin zhvilluar arte dhe teknologji komplekse.

“Po të kishin mjaft kohë, mjete dhe sikur të ishin mjaftueshëm, ata mund të ishin zhvilluar në një version të njerëzve që do të vazhdonin të jetonin edhe sot”, konkludon Pike.

Legjenda: Shkencëtarët e zbuluan një seri të pikturave të lashta të shpellave në Spanjë, të datuara 65.000 vjet më parë – disa mijë vjet para se njerëzit modernë të shfaqeshin në Evropë. (Foto nga P. Saura/Universiteti Southampton).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme