Nesër në Zagreb Isak Shema promovon librin për Josip Relën

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 09:44 | Nga

Me rastin e Ditës Europiane të Gjuhëve, Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të qytetit të Zagrebit bashkë me Këshillin e Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, të mbështetur nga Ermina Lekaj Perlaskaj, deputete në Parlamentin kroat, nesër (28 shtator) në Zagreb do të bëhet promovimi i veprave të prof.dr. Isak Shemës – monografia “Josip V. Rela-Jeta dhe krijimtaria letrare” dhe libri “Studije albanske književnosti” (në kroatishte).

Ky manifestim kulturor, arsimor e shkencor do të mbahet në sallën e Qendrës Kulturore Shqiptare, adresa Draškovičeva 25, Zagreb, dhe fillon nga ora 18. Për librat do të flasin Dr. sc. Maximiljana Barinçiq dhe autori prof.dr. Isak Shema, shkruan Koha.net.

Gjatë kësaj mbrëmjeje do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të mirënjohjes nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Republikës së Kosovës profesoreshës Florina Lumezi, për meritat e shumanshme në zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe Kroaci.

Do të ketë edhe një program artistik. Nxënëset Vanesa Iliçiq do të ekzekutojë me kitarë, kurse Fotina Duni me violinë, ndërsa do të recitojnë nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme