Netflix sjell serialin “Sandman”

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Pasi që seria “Good Omens” më në fund doli nga ferri kreativ, Neil Gaiman tha se ditët e tij si showrunner kanë përfunduar. Megjithatë, ai mbetet i përfshirë në projekte të cilat merren me ekranizimin e veprave të tij, të paktën në rolin e producentit.

Një nga titujt e tij më të njohur, “Sandman”, aktualisht është në negociata për një projekt shumë fitimprurës – Netflixi i ka marrë të drejtat për produksionin e serisë televizive “Sandman”.

Image

Gaiman do të punojë si producent ekzekutiv, së bashku me David Goyer, ndërsa shumicën e punëve rreth udhëheqjes së serisë do t’i marrë përsipër Allan Heinberg (skenaristi i filmit Wonder Woman, i cili gjithashtu punoi edhe në serialet e njohura si “Gray’s Anatomy” dhe “The Catch”), shkruan KOHA Ditore.

Personazhi i “Sandman”, për ata që nuk e njohin, ishte personazhi kryesor në serinë e stripave të publikuar në vitet e nëntëdhjeta. Përshkrimi i shkurtër i Gaiman ishte: “Sundimtari i ëndrrave zbulon se të gjithë duhet të vendosin midis ndryshimit dhe vdekjes dhe ta bëjnë zgjedhjen vetë.” Natyrisht, tregimi është shumë më i gjerë dhe përfshin mitologji nga e gjithë bota, nëpërmjet tregimeve rreth misioneve fantastike, vrasësve serikë, udhëtimeve dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra.

Versioni filmik i “Sandman” tashmë prej vitesh kishte ngecur në ferrin kreativ. Projekti i fundit i njoftuar e kishte Joseph Gordon-Levitt në një nga rolet kryesore dhe në rolin e regjisorit, por ajo marrëveshje dështoi për shkak të dallimeve kreative.

Marrëveshjet aktuale me Netflixin nuk janë arritur ende, por presim që së shpejti të fillohet me paraproduksionin.

Të ngjashme