Nis Festivali folklorik “I këndojmë Lirisë”

Prishtinë | 06 Qer 2017 | 20:27 | Nga

Qershori i Lirisë dhe i ditëlindjes së Komandant Mujë Krasniqit, për të shtatëmbëdhjetën herë me radhë ka bashkuar në një vend të gjitha trojet shqiptare. Të martën,  në Çabiq të Klinës, në  oborrin e Kullës monumentale  të Komandantit  është hapur  Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”.

Në hapjen e këtij Festivali, ishin të pranishëm, përfaqësues institucionesh nga niveli qendror dhe lokal, bashkëluftëtarë të Mujë Krasniqit, si dhe deputetë, por edhe artdashës të shumtë, të cilët ishin të pranishëm në këtë eveniment kulturor, për ta nderuar  figurën e këtij kolosi të kombit, që i kushtohet pikërisht ditëlindjes së tij.

Hapjen zyrtare të Festivalit e bëri kryetari i Komunës, Sokol Bashota, i cili pasi ka përshëndetur të pranishmit ka shtuar se po bëhen 17 vite jetë të këtij Festivali, derisa janë plot 10 vite që unë përkujdesëm për mbarëvajtjen e këtij Festivali, i cili në Komunën e Klinës sjell thesarin e folklorit tonë burimor.

“Në këto festivale janë sjellë këngëtarët dhe shoqëritë kulturo-artistike nga të gjitha trevat tona kombëtare dhe kanë prezantuar artin e trevave prej nga vinë”, ka thënë kryetari  Bashota, duke pohuar në vijim se në këto tri net në të cilat do të jemi bashkë  do të kemi rastin të shoqërohemi me grupe e ansamble të ndryshme, të cilat e begatojnë Festivalin që i kushtohet njërit prej kolosëve të lirisë, Komandant Mujë Krasniqit.

“Ky Festivali lartëson vlerën e lirisë, të luftës, dhe të artit tonë kombëtar, që na lanë amanet të parët tanë, si mësimin dhe kujtimin më të mirë për t’u edukuar në frymën e traditës dhe të flijimit për gjerat më të shenjta dhe më të shtrenjta, siç janë atdheu dhe liria. Klina arriti që më këtë Festival të krijojë një vepër dhe një ngjarje të rëndësishme kulturore të përmasave kombëtare“, tha kryetari.

Ai po ashtu, u shpreh se Komandant Mujë Krasniqi, kishte virtyte të rralla të luftëtarit të lirisë, por ishte edhe rapsod i shquar i folklorit tonë burimor.

“Muja e deshi këngën, e deshi vendin dhe u flijua për lirinë e Kosovës. Prandaj, ne për tri net do t’i këndojmë lirisë, do t’i këndojmë atdheut, me qëllimin më të mirë që të mbajmë gjallë folklorin tonë dhe kujtimin për dëshmorët”, ka thënë ndër tjera kryetari Sokol Bashota.

Në emër të fshatit Çabiq të pranishmit i përshëndeti përfaqësuesi i fshatit, Zekë Gashi, i cili tha se në saje të luftës të Komandant Mujë Krasniqit, Çabiqi u bë vatër lirie dhe fole për strehimin e shumë bashkëluftëtarëve.

“Çabiqi gjithmonë shquhet për sofrën e vlerave të mirëfillta kombëtare, andaj ne sot kemi për çka të festojmë, sepse këtu lindi, më 6 Qershor, një personazh i madh i lirisë së Kosovës, i cili preku majat e flijimit, sakrificës dhe trimërisë, e ky është Komandant Mujë Krasniqi”, është shprehur z. Gashi.

Në hapjen tradicionale të Festivalit Folklorik, ansambli i këngëve dhe valleve “Ardhmëria “ nga Gjakova dhe ShKA “Bashkimi” nga Drenasi, të cilët me prezantimin e tyre e bënë edhe më madhështore këtë eveniment.

Në fund për të pranishmit u shtrua edhe sofra tradicionale e Çabiqit, me ç’rast mysafirët shijuan përgatitjet tradicionale të këtij fshati, në nderim të hapjes zyrtare dhe në 50- vjetorin e lindjes së Komandantit Mujë Krasniqi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme