Nisin ”Javët e Kulturës Shqiptare” në Austri, pritet performacë nga Shkelzen Doli

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Në Vjenë të Austrisë sot pritet të nis ”Javët e Kulturës Shqiptare”, e cila pritet të sjellë në skenat vjeneze format autentike të të shprehurit të kulturës së trashëguar dhe të krijimtarisë bashkëkohore shqiptare.

“Në Javët e Kulturës, vitin e kaluar kemi arritur të bashkojmë balerinin me famë botërore Eno Peçin me muzikantë të rinj shqiptarë nga Lugano të cilët bashkë përmes baletit modern kanë sjellë një riorkestrim të muzikës qytetare shqiptare; kemi shfaqur krijimtarinë artistike të Jakup Ferrit; kemi sjellë festivalin e njohur botërisht DokuFest-in përmes produksioneve të suksesshme kinematografike nga regjisorë, producentë e aktorë shqiptarë në një nga kinot më të famshme në Vjenë; muzikantë shqiptar të zhanrit klasik kanë gërshetuar klasiken austriake me atë shqiptare; pastaj muzikën bashkëkohore përmes grupit Offchestra, e shumë të tjera, ku të gjitha kanë marrë vëmendjen maksimale dhe janë përfolur gjatë.

Këtë vit, bëjmë një hap edhe më të madh, sjellim në teatrin vjenez polifoninë shqiptare si kulturë jo materiale me vlera universale e mbrojtur nga UNESCO, përmes Ansamblit Polifonik Saz’iso për të cilët kjo shfaqje është premierë në Austri dhe për neve janë kryefjala e Javëve të Kulturës 2018; pastaj muzikën origjinale Gheg Rock shqiptare përmes grupit Jericho; shfaqjen teatrale të artistes së merituar Rita Gjeka; bashkohen në performancë virtuozët si violinisti Shkëlzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe Orkestra Austriake e Dhomës për të sjellë tingujt e muzikës shqiptare; dhe më e këndshmja muzikantët shqiptar si Rina Kaçinari, Adnan Dragaj (Humus), Orges Toce, Agim Llapashtica, Alfred Bushi, Gramos Goranci e Kori i Grave ‘Lyra’ që të gjithë që veprojnë në Austri, bashkohen në një mbrëmje unike që shënon hapjen e Javëve të Kulturës”.

Prandaj, kultura shqiptare ofron krijimtari unike e tejet të begatshme për publikun e huaj i cili poashtu tregohet gjithnjë shumë i interesuar të mësojë e ta njohë nga afër dhe akoma më shumë kulturën tonë.

Të ngjashme