Një dorëshkrim me vlera i Gjon Shllakut

Prishtinë | 27 Pri 2018 | 14:10 | Nga

Jetëshkrimi i përkthyesit të njohur Gjon Shllaku është bërë publik nga mbesa e tij Josefina. Shkruar nga vetë shqipëruesi ajo merr një tjetër vlerë në ditët tona. Shllaku ishte vetëm 22 vjeç, kur regjimi komunist e dënoi me 101 vjet burg, prej të cilave vuajti 11, nëpër burgje e kampe internimi. Shllaku u bë i njohur me përkthimin në shqip të Iliadës së Homerit, si dhe të veprave të Sofokliut, Euripidit, Virgjilit etj.

Vitet e fundit, Shtëpia Botuese Gjonlekaj në Shtetet e Bashkuara botoi librin “Duke kapërcyer pragun e shpresës”, një intervistë me Papa Gjon Palin e Dytë, e përkthyer në gjuhën shqipe nga Profesor Shllaku. Dramaturgu i njohur, Fadil Kraja, e ka quajtur përkthyesin helenisti më i madh shqiptar dhe një ndër më të medhenjtë në Europë. ”Gjon Shllaku u solli shqiptarëve Hektorin dhe Akilin, Ajaksin dhe Eneun, Antigonën dhe Kasandrën.

Ai pruri flakën e madhe të pishtarit të Prometeut, shpatën çlirimtare të Paladinit të Rolandit. Ai solli në gjuhën e bukur shqipe kolosët e letërsisë botërore, figurat me të shquara të gjenisë botërore. Plot 100 mijë faqe të përkthyera nga ajka e letërsisë botërore dhe sidomos nga ajo letërsi, paraprirëse e të gjithë letërsive të tjera – letërsise antike greko-romake”. Ne prag të 80-vjetorit të lindjes, gjatë një intervite për Zërin e Amerikës, profesor Gjon Shllaku shprehej se, në përgjithësi, i kishte përmbushur dëshirat e veta krijuese pasi kishte sjellë në shqip ”Iliadën” e Homerit së bashku me tragjeditë e Euripidit e të Sofokliut.

”Nuk e kam mendue se mund të jetoj kaq gjatë. Prandaj i kam dhânë gajret vetes me i krye këto punë përpara se me arritë në këtë kohë. Sepse në këtë kohë, që më duket se janë vitet e mia të tëpërta, që s’i kisha llogaritë, kam hy me bâ fjalorin diakronik latinisht-shqip që âshtë 65 mijë fjalësh”. Pas viteve 90-të r Gjon Shllaku u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “Naim Frasheri”, ”Pendën e Artë”, ”Diskun e Argjentë”, si dhe u shpall ”Qytetar Nderi ” i Shkodrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme