Një film që na bën ta shikojmë veten në pasqyrën reale pa frikë, pa komplekse…

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 18:56 | Nga Fitim Nuhiu

Disa fjalë për filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” nga regjisor Kushtrim Bekteshi

Filmi fillon me klerin fetar, me hoxhën e fshatit që sheh një instinkt seksual kafshe (qenin) në rrugë (publik) dhe i gjuan me gur që t’ia mbathin që aty dhe vë në pah rolin e tij konstruktiv, rolin e tij predikues morali dhe roli i tij pozitiv në një shoqëri, pavarësisht gjuhës së vrazhdë të tij kjo ngase i përshtatej tundimit të fshatarëve, të xhematit të tij.

Kur jemi te kjo pikë, më bëri përshtypje edhe ndërtimi i “anijes së Nuhut”, si anije shpëtimi, metaforë e bukur kundrejt demoralizimit social.

Regjisori në këtë film, shfaq anën e errët të “seksit të dobët” do të thosha, pra kupto meshkujt ndryshe siç njihet paradoksalisht për femrat, tundimit dhe rolit negativ dhe destruktiv të prostitucionit në një shoqëri, profiterëve idiotë se si shkatërrojnë familjet, me një fjalë të gjithë sistemin e mirëfilltë social.

Filmi, gjithashtu ka edhe romantizmin e dy të rinjve që dashurohen natyrshëm, që takohen, pavarësisht që fshihet nga prindërit e tyre, gjë që të kujton dashuritë e mëdha që kemi lexuar nëpër romane, dhe kur shikon se si përplasen mes dashurisë do thosha natyrale karshi moralizmave bajat, tundimit dhe syfaqësisë së baballarëve të tyre është një paradoks që ngjan mes nesh.

Ka një pikë ku edhe fëmijët e vegjël ndikohen nga ky ‘tundim’, apo do thosha kurreshtje fëmijërore, fantazitë e tyre se çka po ngjan matanë shkurreve, brenda mureve të kafeterisë, kur vendosin të përgjojnë dhe se kjo shpërfaq se fëmijët ndjekin modelin tonë, e jo këshillat që ne u themi dhe ata kuptojnë realitetin tonë më shumë që ne i mendojnë se kuptojnë.

Revolucioni i grave është paksa i fryrë, që i kundërvihen burrave të tyre në mënyrë frontale dhe që u plas filmi dhe s’mund ta durojnë tradhëtinë e tyre bashkëshortore, të përkrahur nga këshillat e hoxhës dhe gruas së tij, por sidoqoftë mirë do ishte sikur të ngjante kjo gjë, ndoshta regjisori po na jep të kuptojmë që revolucioni i grave, ngritja e vetëdijës së tyre është ajo që stabilizon dhe ua kthen dinjitetin fillimisht atyre, burrave të tyre, kupto gjithë shoqërisë.

Vlen theksuar figura e politikanit, prefektit, dhe drejtorit të shkollës, servilizmi dhe qasja e tyre joparimore që ndodh ta shohim rëndom në shoqërinë tonë.

Filmi thyen disa tabu, duke shpërfaqur tema erotike, tema të njohura për shoqërinë tonë ama vetëm nën zë, pra jo publikisht, kjo sigurisht nga formimi jonë i gjymtë që buron nga disa mekanizma moralë të hershëm dhe nga pavetëdija jonë qytetare.

Filmi ka një dinamikë që të mban zgjuar kurreshtjen ‘fëmijërore’ se çka do të ndodh më pas dhe s’të lë asnjë sekondë indiferent…

Në fund, me gjithë mend e them se ndjehem krenar që edhe pse jemi në përgjithësi paksa popull i vonuar për nga vetëdija qytetare, këta lloj filma (që na bëjnë ta shikojmë veten tonë në pasqyrën reale pa frikë, pa komplekse), ky format regjisorësh dhe aktorësh të shkëlqyer më bëjnë të shpresoj se edhe ne mundemi t’i bashkangjitemi karvanit të qytetërimit që ka kohë që themi se i takojmë dhe se këtë film nga këndi i auditorit e kisha quajtur filmi i paharruar në vendin dhe popullin e harruar…

Të ngjashme