“Pena e Flakës” për poeten nga Shqipëria, Rozafa Shpuza

Prishtinë | 01 Shk 2019 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza, është fituese e çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet gjatë muajit janar në Gjilan e që zyrtarisht ka përfunduar të enjten.

Ceremonisë së ndarjes së çmimeve i kanë paraprirë “Ora e Madhe Letrare”, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të manifestimit, si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër. Të dyja këto veprimtari letrare janë mbajtur në hapësirat e bibliotekës “Fan S. Noli”, shkruan sot Koha Ditore.

Në “Orën e Madhe Letrare” poezitë e tyre i deklamuan mbi 20 poetë nga të gjitha trojet shqiptare, në mesin e të cilëve emra të njohur si Agron Tufa, Ibrahim Kadriu, Flutra Açka e të tjerë.

Vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2019, ishin vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre përcaktuan poezinë fituese, përkatësisht poeten Rozafa Shpuza.

Sipas jurisë, në edicionin e këtij viti, i 28-i me radhë, janë theksuar vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Agron Tufa, Linditë Ramushi-Dushku dhe Emin Azemi kane qenë anëtarët e jurisë, e cila ka shpallur edhe dy fitues të tjerë në kategorinë e poezisë dhe tre në atë të prozës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme