Pengu me Kadarenë ditën e vdekjes së babait, flet vajza e Agollit

Prishtinë | 06 Gus 2017 | 15:18 | Nga

Lidhjet e Kadaresë me Agollin janë të veçanta dhe i dinë më mirë nga të gjithë vetë ata. Shumë të vërteta midis tyre ndoshta nuk do të bëhen publike dhe të njohura asnjëherë. Secili do ti marrë me vete në varr të fshehtat dhe kjo për mua ka kuptimin dhe simbolikën e vet, shkruan Moikom Zeqo në librin “Liriku i tokës Demoni i fjalës”…

Gjashtë muaj pas ndarjes nga jeta e shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli, vajza e tij Elona, vjen në një rrëfim të gjatë botuar sot nga gazeta DITA.

Mes të tjerave ajo flet për raportet e Dritëroit me Ismail Kadarenë.

Pyetjes së gazetares së DITA, Entela Resuli “A keni pasur një mesazh ngushëllues nga Ismail Kadare, apo dhe një vizitë në familje?”, Elona Agolli i përgjigjet:

“Mesazh ngushëllues vetëm. Një kurorë me lule po ashtu”.

Ajo flet më pas për marrëdhënien mes dy shkrimtarëve të shquar.

“Me Ismail Kadarenë im atë ishte një mik i mirë. Mik i mirë që në rininë e tij, kur projektohej e ardhmja e tyre letrare, kur ëndrrat ishin të mëdha dhe sfidat që i prisnin ishin po aq të mëdha. Do të krijonin familje e do të ndërtonin modelet e çifteve siç do të thoshte R. Qosja “Çifte emblematike”, e përsëri do të vijonin shoqërinë dhe raportin e tyre miqësor; do të uronin nëpër festa dhe Ismaili do të bëhej edhe kumbari im, që do të përzgjidhte e propozonte emrin Elona kur unë erdha në jetë.

Nuk do të cenohej ajo miqësi edhe në vitet e vështira kur ishte e zakonshme të bashkëbisedohej nën zë, veçmas fëmijëve e të tjerëve, kur ngjarje të paperceptueshme për shpirtra të lirë, siç ishin im atë dhe miku i tij Ismail, ngjarje të tilla ndodhnin shpesh e më shpesh. Përherë ata të dy e kanë e kanë vlerësuar njëri-tjetrin, kanë njohur gjenitë dhe talentet e shoqi-shoqit, i kanë hapur rrugë kur e ndjenin që duhej hapur rrugë, përgjithësisht janë mirëkuptuar – thotë Elona për DITA.

Ajo zbulon madje që subjektin e romanit të famshëm Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kadaresë ia ka dhënë pikërisht Dritëro Agolli.

“…Ka ndodhur që edhe i kanë dhënë subjekte veprash letrare njëri-tjetrit siç më rrëfente para ca ditësh Sadija, ime më, që ngjarjen e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Dritëroi e kishte dëgjuar në një fshat dhe i kishte thënë mikut të tij: Shkruaje ti këtë roman pasi i shkon mjaft stilit tënd të rrëfimit. Unë nuk do ta shkruaja dot si ti. Merre si ngjarje se ta kam falur si subjekt romani. E njihte mjaft mirë veten Dritëroi, ishte njeri me karakter të fortë dhe i ndershëm. Siç thotë diku për vete: “Unë kam qenë një filiz që, kam dalë nga toka jo nga vazot e luleve të ballkoneve të qytetarëve”.

Elona rrëfen në intervistën për DITA se Agolli e ka mbështetur vazhdimisht Kadarenë edhe në momentet e vështira:

“Sa i takon mbështetjes, ka ndodhur edhe në situata jo të lehta siç ishte momenti i ikjes së Kadaresë. Kur ikja e Ismailit nga Shqipëria u interpretua keq edhe nga miq e shokë të tij si arratisje e braktisje e vendit, ishte Dritëroi që i doli në krah duke deklaruar që shkrimtari i madh u lodh dhe u zhgënjye nga vonesa e ndryshimeve, e për këtë arsye ai u largua për t’u bërë një shembull. E ka edhe në një nga shënimet e tij këtë gjë” – thotë vajza e gjeniut të letrave.

Image result for vdekja e dritero agollit
Lamtumira e Dritëro Agollit

Por asaj nuk i ka ardhur mirë që njeriu që i ka vënë emrin u mjaftua vetëm me një mesazh dy rreshta në vdekjen e Dritëroit. Ajo thotë për DITA se do të donte që Kadare të ishte personi që do mbante fjalën e lamtumirës.

“Sa i takon lamtumirës, përshëndetjes së fundme dhe ndarjen me mikun e rinisë dhe të pjekurisë edhe letrare, sinqerisht e prisja. U tha që ishte i pamundur për të ardhur, u shkruan në gazeta 2 radhët e formuluara në mënyrë konçize për lajmin e humbjes si një ndër lajmet më tronditës: “Jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët, Dritëro Agolli do të na mungojë të gjithëve.” – u shpreh Ismail Kadare.

Do të dëshiroja ndryshe, për të qenë e sinqertë. Dhe ajo fjalë lamtumire mbajtur nga miku në çastin e përcjelljes së fundme (nëse do, do të mbetej në historinë e vendit tonë të bekuar, në historinë e oratorisë së gjeniut të letrave dhe mikut të Dritëroit të madh, Ismail Kadaresë, dhe jo vetëm oratorisë, por edhe në historinë e një miqësie dhe etike morale të shëndetshme…”, thotë Elona.

Pyetjes se: “Kanë folur shumë persona në ditët e ndarjes nga jeta të Dritëroit, por cili ishte reagimi apo personi që të habiti me ato çka kishte thënë?” – Elona përgjigjet:

“Fjalimi apo fjala e lamtumirës e mbajtur nga Edi, kryeministri, më ka bërë shumë përshtypje. Kishte ndjenjë, analizë, nderim, përulje, vlerësim…”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme