Pesë filmat më të shikuar në arkat filmike të Amerikës Veriore

Prishtinë | 03 Maj 2021 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Në javën e parë të shfaqjes nëpër kinema, filmi “Mortal Kombat” i bazuar në videolojën e famshme me të njëjtin emër, arriti suksese të mira duke i pozicionuar në vendin e parë të arkave filmike në Amerikën Veriore. Brenda 1 jave të shfaqjes, ky projekt i arkëtoi gjithsej 23,3 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema. Filmi flet për grup të ushtarëve me fuqi të jashtëzakonshme, të cilët përzgjidhen për të luftuar në “Mortal Kombat”, një betejë legjendare e cila do ta shpëtojë tokën. Në rolet kryesore të filmit vijë aktorët: Lewis Tan, Joe Taslim, Hiroyuki Sanada, Jessica McNamee, Mehcad Brooks dhe të tjerë.

Një tjetër projekt që debutoi fuqishëm në Amerikën Veriore, është filmi i animuar japonez “Demon Slayer the Movie: Mugen Train”. Nga shitja e biletave nëpër kinema të limituara shkaku i pandemisë, ky projekt i arkëtoi gjithsej 21.4 milionë dollarë. Ai e rrëfen historinë e djaloshit Tanjiro Kamado, i cili e fillon rrugëtimin si vrasës i përbindëshave pasi familja e tij vritet brutalisht, dhe motra e tij shndërrohet në përbindësh. Tanjiro dhe miqtë e tij e fillojnë një mision të ri në rrugën e dëshpërimit. Suksese të jashtëzakonshme ky projekt ka shënuar edhe në arkat filmike botërore.

Kampioni i javës së kaluar, “Godzilla vs. Kong”, ka rrëshqitur për dy pozita, dhe këtë javë renditet i treti në arkat filmike falë 4 milionë dollarëve të fituara ekstra, të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani prej 86.6 milionë dollarësh. I lansuar më 26 mars në platformën HBO Max dhe nëpër kinema në të njëjtën kohë, ky film i sjell në ekran dy prej përbindëshave më legjendarë të kinematografisë teksa përplasen, Godzilla dhe King Kongu. Në rolet kryesore luajnë aktorë të njohur të hollywoodit, si Millie Bobby Brown, Alexander Skarsgård, Rebecca Hall dhe Brian Tyree Henry. Kurse regjinë e këtij projekti e ka bërë Adam Wingard, i njohur më së miri për filmat e zhanrit horror, “Death Note” dhe “Blair Witch”.

I katërti në listë renditet filmi i mbushur me skena aksion, “Noboy”. Brenda javës ky projekt i arkëtoi gjithsej 1.7 milionë dollar të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani, e që e kap shifrën prej 21.5 milionë dollarësh. Filmi i realizuar nga studioja “Universal Pictures”, e rrëfen historinë e Hutch Mansellit, i portretizuar në film nga aktori Bob Odenkirk, një burrë familjarë i nënvlerësuar dhe me një natyrë të butë, i cili përshkruhet si jorezistent ndaj vështirësive në jetën e tij. Një natë kur dy hajna futen në shtëpinë e tij në periferi, ai refuzon ta mbrojë familjen dhe veten duke shpresuar ta shmangë përkeqësimin e situatës. Djali i tij Blake dhe bashkëshortja Becca zhgënjehen tej mase nga reagimi i Hutchit ndaj situatës, dhe kështu fillojnë të largohen nga ai. Por ky incident, ia ndezë inatin ndaj të qenit një baba dhe burrë i paqëndrueshëm, dhe kështu atij i zgjohet dëshira për ta ndjekur rrezikun, i zbulon aftësitë e shtypura thellë në vete dhe i vë në pah sekretet e tij të errëta.

Top-pesëshen e plotëson filmi i animuar dhe mjaft i suksesshëm, “Raya and the Last Dragon”, falë 1.7 milionë dollarëve të arkëtuara nga shitja e biletave në Amerikën Veriore. Nga debutimi i tij para tetë javësh, filmi i ka fituar gjithsej 40 milionë dollarë. Ai flet për Rayan e cila emërohet nga babai i saj për ta mbrojtur një sferë magjike, e cila përmban fuqi të jashtëzakonshme dhe të rëndësishme për mbijetesën e njerëzve. Por kur ajo vidhet nga disa klane tjera, Raya detyrohet ta gjej vendndodhjen e dragoit Sisu për ta shpëtuar fisin e saj por edhe mbarë njerëzimin.


Të ngjashme