Pianistja nga Kosova sjell tingujt e Beethovenit në pianon e vitit 1825

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Në pianon e mjeshtrit Conrad Graf që daton pikërisht nga koha sa Beethoveni ishte ende gjallë, pianistja Fatjona Maliqi ka sjellë veprën monumentale të ikonës së klasicizmit në një interpretim unik që e kthen kohën prapa me tingujt e kohës, kur kompozonin e interpretonin gjenitë e muzikës. E ka bërë këtë në koncertin në kuadër të serisë prestigjioze “WDR3 Campus-Konzerte”, që u transmetua të martën mbrëma në radion publike gjermane “WDR3”

Pianistja e re, Fatjona Maliqi, s’ka veç dashuri për muzikën, por edhe për instrumente të moçme, në veçanti piano të punuara shekuj më parë nga mjeshtër me nam. Kur këto dy dashuri takohen, rezultati është goxha mbresëlënës. Një përjetim i veçantë e kthen publikun prapa në kohë, jo vetëm nëpërmjet veprës, por edhe me tingëllimën e instrumentit të kohës kur është shkruar ajo. Një mundësi për të përjetuar perlat e muzikës klasike, si asnjëherë më parë.

I tillë ishte edhe interpretimi që u transmetua të martën mbrëma edhe në radion publike gjermane “WDR3” me serinë prestigjioze “WDR3 Campus-Konzerte”, për të cilën instrumentistët i nënshtrohen një përzgjedhjeje strikte.

Ekzekutimi i veprës “Variacionet Diabelli” të kompozitorit gjerman, Ludwig van Beethoven, në këtë lloj forme, qe premierë botërore. Deri tani nuk ekzistojnë incizime të kësaj vepre të interpretuar në një piano origjinale historike. Koncerti nisi me prezantimin e atyre që do të luajnë.

“Të përzgjedhurit për të luajtur në këtë varg koncertesh ‘WDR3 Campus Konzerte’ janë studentët më të mirë dhe më të talentuar të universiteteve të krejt Vestfalisë të Rajnës Veriore dhe Fatjona Maliqi është një prej tyre”, thotë prezantuesi i radios së njohur që ka shtrirje në krejt Vestfalinë e Rajnës Veriore me 13 milionë banorë.

Ai tregon se Maliqi do të interpretojë veprën e njohur të kompozitorit gjerman në një piano historike. Luajti në pianon e punuar nga gjermano-austriaku me nam, Conrad Graf (1782-1851) në Vjenë më 1825, dy vjet para vdekjes së Beethovenit. Në instrumentet e këtij mjeshtri kanë luajtur e kompozuar edhe mjeshtri gjerman e ai polak Frédéric Chopin. Pianoja në të cilën Maliqi interpretoi është pjesë e koleksionit të Beetzit, që ruhen në Universitetin e Münsterit.

Pianistja, e cila studion në Gjermani, pikërisht në Universitetin e Münsterit, zgjodhi veprën e cila hyn në mesin e atyre që konsiderohen si më të vështirat në literaturën pianistike. “Variacionet Diabelli” e Beethovenit është mjaft kërkuese.

Pianistja e re ka thënë se ka përzgjedhur veprën e mjeshtrit të epokës së klasicizmit për ta nderuar kompozitorin dhe njëkohësisht për të shënuar 250-vjetorin e lindjes së tij. Një përvjetor që u shënua në mënyrë të zbehtë në të gjithë botën për shkak të pandemisë që mbërtheu vitin 2020.

Vepra që zgjat një orë pa ndërprerje, qe një udhëtim krejtësisht ndryshe. Ishte edhe një ftesë për ta krahasuar interpretimin në pianot e atëhershme dhe me atë në pianot e sotme.

“Ky koncert për mua ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Ëndrra ime fëmijërore po bëhet realitet dhe unë jam duke e përjetuar dhe shijuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Maliqi.

Si pjesë e studimeve të saj, ajo është veçmas e interesuar për të luajtur në instrumente me taste, që kanë edhe vlerë historike, siç ishte interpretimi në pianon që mban vulën e Grafitit. Prandaj, qe i veçantë, koncerti i cili u incizua më 8 dhjetor të vitit të kaluar e që u transmetua të martën.

“Është një premierë botërore, sepse deri tani nuk ka asnjë CD ose video të këtyre variacioneve të luajtura në një piano origjinale historike, vetëm në piano moderne ose kopje të pianove historike që janë bërë viteve të fundit. Të luaja në një piano të tillë ishte privilegj dhe fat”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se interpretimin e ka shijuar në maksimum dhe tingullin e mbyllur të pianos e ka luajtur dhe nxjerr me shumë dashuri dhe shpirt.

“Kjo piano ka pesë pedale dhe unë i kam përdorur të gjitha. Emocioni ishte shumë i veçantë. Kjo vepër ishte ndër veprat e fundit që Beethoveni ka shkruar për piano dhe është njëkohësisht vepra më e gjatë pianistike e shkruar nga Beethoveni, si dhe kompozitorët e tjerë të klasicizmit. Gjithashtu, është njëra nga veprat më të gjata dhe komplekse të literaturës pianistike”, ka treguar ajo.

Prezantimi në radion publike gjermane erdhi si rezultat i një gare të brendshme në Universitetin e Münsterit në Gjermani.

Pianistja 24-vjeçare ka nisur studimet aty në vitin 2016. Në garën e mbajtur vitin e kaluar më 2 korrik, ajo u zgjodh fituese. Vetëm Maliqi dhe një grup perkusionistësh e kaluan garën ku u paraqitën më shumë se 20 studentë. Maliqi garën e pati fituar po me këtë vepër të Beethovenit me të cilën u paraqit edhe para audiencës së gjerë nëpërmjet radios. Performanca e saj, por edhe e grupit të perkusioneve është e qasshme online deri në fund të këtij muaji në ueb-faqen e radios “WDR3”.

Universiteti i Münsterit në Gjermani i themeluar në vitin 1780, është një nga universitetet më të njohura e më me traditë në këtë shtet evropian. Reputacioni i tij është i njohur jo vetëm në Gjermani, por edhe më gjerë.

Në vitin 2013, Maliqi fitoi garën “Pianisti i ri” në Prishtinë dhe që nga ajo kohë profesori Heibert Koch e ka marrë përsipër trajnimin e saj të mëtejshëm dhe po punon me të. Ajo pati debutimin me orkestër në tetor të vitit 2014, kur u paraqit në festivalin “Klassikhautnah” në qytetin bavarez Dinkelsbül me dy koncerte para një audience prej dy mijë vetash. Maliqi, po ashtu, ka mbajtur koncert në Jülich të Gjermanisë në vitin 2015, i cili ishte njëherësh recitali i saj i parë, ku mediat atje e konsideruan si “solo-koncert bravuroz”, e “interpretim me shpirt dhe kënaqësi në lojë”. Maliqi, sipas kritikës, dallohet si një nga pianistet më interesante të brezit të saj me një prirje të veçantë për programet që janë jashtëzakonisht shumë sfiduese për instrumentistin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme