Pikturat e Kelmendit në Romë me mesazhe për bashkekzistencë

Prishtinë | 14 Jan 2019 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Veprat e piktores Majlinda Kelmendi, të cilat shpërfaqin konceptin e saj mbi bashkekzistencën, të konkretizuar nëpërmjet artit, do të jenë në dispozicion të vizitorëve të publikut të Romës. Pikërisht nga cikli “Bashkekzistenca” ka marrë titullin edhe ekspozita e saj personale “COESISTENZA”, që do të hapet në ditën e 16-të të këtij muaji në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Universitetit “La Sapienza” në kryeqytetin italian.

Në dy vjetët e fundit piktorja Majlinda Kelmendi, e cila është edhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka punuar në ciklin e saj të ri. E njohur si krijuese aktive, Kelmendi nëpërmjet veprave të saj hap horizonte të bashkekzistencës duke bërë thirrje për thyerje kufijsh. E këto mesazhe për herë të parë do t’i japë përtej Adriatikut, në shtetin ku banojnë edhe shumë shqiptarë.

Vetë Kelmendi ka thënë se për të ka qenë sfiduese dhe emocionuese ta planifikojë këtë ekspozitë së bashku me Muzeun e Artit Bashkëkohor në universitetin “La Sapienza” në Itali.

“Do t’i paraqes veprat e mia të reja që kam realizuar prej dy vjetësh. Ky projekt është tepër me rëndësi pasi prezantohem si pedagoge e Degës së Artit Konceptual dhe Mediave të Reja në Fakultetin e Arteve, në Muzeun e Artit Bashkëkohor, ku kanë ekspozuar shumë artistë të famshëm, si Joseph Beuys, Alberto Burri e të tjerë”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme