Poezia meditative dhe militare e Arif Molliqit

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 21:54 | Nga B. Armagedoni

Arifi u reagon edhe komandantëve të luftës që i kanë keqpërdoruar në paqe, për interesa personale dhe familjare, institucionet e Republikës së Kosovës, duke u pasuruar shpejt dhe duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës shumë. Ata kanë bërë mirë që kanë luftuar dhe e kanë çliruar vendin nga Serbia, po ata s’kanë të drejtë as të veprojnë kundërligjshëm dhe as të na thonë, shkruan Arifi: “Ne ju çliruam, ne kemi të drejtë t’ju pallojmë!” Tekefundit, nëse bëjnë kështu si thonë, morali i tyre bie përtokë, paralelisht me respektin tonë për ta.

Është hera e dytë kjo që marr pjesë në promovimin e librit të Arif Molliqit. Është hera e dytë që flas për librat e Arifit në një ambient tjetër për dallim nga hera e parë. Herën e parë kam folur në vendlindjen e tij, në Deçan, veçse për një libër tjetër të tij. Jo për romanin “Kryeqytetin e lakuriqëve”, po për monografinë “Lluka e Epërme ndër shekuj”, me të cilën, më shumë se vetveten, Arifi ka nderuar pararendësit, historinë e tyre, familjarët e vet dhe tuajt që i keni të një rrënje, ju të Llukës së Epërme, shpërndarë nëpër Kosovë dhe migruar në vende të ndryshme të botës. Pa dyshim se me këta libra që ka botuar deri më tash, edhe me disa të tjerë botuar para këtyre që i kam botuar unë me shtëpinë botuese “Armagedoni”, Arifi dhe veprat e tij kanë zënë vend në letërsinë bashkëkohore shqiptare, në historinë e saj, në raftet e bibliotekave tuaja dhe në kujtesën tuaj. Në katalogët e shtëpisë sonë botuese, patjetër.
Arif Molliqit, në vitin e tretë të bashkëpunimit me të, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, i kam botuar këtë vepër me poezi, në të cilën ka dashuri, ka simpati, ka përkushtim, ka reagime kundër politikës vendore dhe botërore, për ngjarje të mëdha që shqetësojnë botën, edhe për ngjarje më të vogla, po që përbëjnë lajme; për luftëra të ndryshme dhe të shumta, edhe për vrasjet e fundit në Aleppo, edhe për ngjarjet e parafundit politike në Kosovë, si: për tërheqjen e litarit për prerjen e kufirit me Malin e Zi, për prishjen e shtratit të Lumëbardhit me vendim ministri, për gjenealogjinë dhe traditën shekullore të banorëve të Llukës së Epërme, për punën e përditshme të zyrtarëve të shtetit, të politikanëve të korruptuar dhe për popullin e tij të nëpërkëmbur, të ndaluar dhe të sunduar edhe në paqe, nga politika vendore dhe e huaj.
Arif Molliqi tashmë ka arritur moshën e pensionimit. Datën e saktë të lindjes së tij nuk e di po, nëse nuk i ka bërë ende, deri më 31 dhjetor, po qe se ka këtë shëndet të mirë si sot, do t’i bëjë 65 vjet. Në këto gjashtë dekada e gjysmë të jetës Arifi ka punuar shumë. S’po i bëjmë dhe as nxjerrim llogaritë e punës fizike dhe administrative që ka bërë një kohë në Kosovë, një kohë tjetër në Gjermani. Po i bëjmë një llogari tjetër, intelektuale, prej kur ka nisur të shkruajë dhe të botojë në gazeta humor të zi dhe satirë me pseudonimin Boksh Baruti, Topuz Bërryli dhe me të tjerë, duke e vazhduar krijimtarinë letrare me botim të librave, fillimisht me poezi, pastaj me ese, skica, mbresa, romane, drama, monografi. Këto zhanre i ka shkruar Arifi. S’i ka shkruar sa për t’i shkruar. I ka shkruar me stil. Me përgjegjësi. Me ndjenjë. Me mendje të kthjelltë.
Nëse këtu është dikush prej jush që nuk keni lexuar asnjë vepër të tij, dëshminë më të mirë për shkrim të qartë, për lloje të figurave, për fjalë me masë dhe për fjalë që vrasin ndërgjegjen e njerëzve të korruptuar, të brishtë, të pasinqertë, e keni në këtë libër, i cili, për shkak të përmbajtjes, veçantive tematike dhe stilistike, duhet të propozohet dhe të shpërblehet me çmimin vjetor për poezi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, së cilës do t’i shkojnë, po për këtë çmim, shumë pak libra të tillë.
Çfarë duhet të dini tjetër gjë për Arifin dhe çfarë duhet të dini për këtë libër.
Duhet të dini, po deshët prova të tjera duhet të shkoni jashtë Kosovës që ta provoni, se malli për atdheun, për Kosovën, është më i madh kur je larg saj. Edhe reagimi më i fortë dhe më emocionues. Ky libër është produkt i këtij malli. Dashuria e Arifit për Kosovën, edhe për atë vajzën e bërë grua ndërkohë, është në titullin metaforik dhe klisheatik të librit Si kripën të kam dashtë. Ma thotë mendja që ta them, se i kam dëgjuar këto dashuri të sinqerta të disa njerëzve para gjysmë shekulli nga njerëz që më nuk rrojnë. Po, paska ende këso dashuri të moçme dhe kështu të fortë, e cila përsëritet në shumë poezi të këtij libri edhe kur është fjala për gruan, edhe kur është fjala për shqiptarët, për vendlindjen, për Kosovën, për çdo punë të mirë që bën dikush kudo në një vend bote sepse, ky shkrimtar i qytetëruar dhe mbledhës i kulturës, është njëfarë kozmopoliti kulturor.
“Si kripën të kam dashtë” nuk është libër melodik. Në të nuk ka vargje të rregullta, po ka vargje të bardha. Nuk ka rima, po ka ritëm të rregullt dhe të qetë. Në të nuk ka tekste të këngëve, figura tingullore, po ka një vargmal figurash të mendimit të cilat lidhen dhe lidhin ngjarje shumë të vjetra, të vonshme dhe të reja nga jeta e autorit, të cilat kanë brenda vetes personalitete letrare, politike dhe veprimtarë të çështjes kombëtare si, për shembull, Ibrahim Rugovën, Jusuf Gërvallën, Sali Çekajn, kontributin e të cilëve e nderon teksa ua përmend mungesën e jashtëzakonshme fizike. Paralelisht me këta ecin kujtimet e autorit edhe për familjarët e tij, për të motrën dhe të vëllanë që i kanë ndërruar jetë. Janë mes këtyre njerëzve edhe disa njerëz të tjerë, disa fatkeqësi të mëdha të tyre që i kanë parë vendet e tjera të botës e që kanë bërë shumë pak për ndaljen e vrasjeve. Në mesin e tyre është lufta qytetare në Aleppo, janë viktimat fëmijë të vrarë dhe të vdekur buzë detit sirian, për të cilët autori shprehet:

O Zot
ç’kuptim ka frymëmarrja ime kur s’i ndihmon askujt
po po
ka dorëzim kolektiv të njerëzimit.

Tashmë jua bëra me dije se ky libër ka dhembje të përgjithshme, po më e theksuar është për Shqipërinë, për Luginën e Preshevës dhe për Çamërinë. Përpos për fatet e këtyre, autori shqetësohet sidomos për Kosovën dhe për disa territore të saj, për të ardhmen e Kullës së Zhlepit për të cilën shkruan baladë. Duke qenë larg Kosovës, pa pasur mundësi tjetër të protestimit, autori për këtë kullë ngre zërin në Gjermani. Shkruan vargje me përmbajtje historike, etnologjike, gjeografike, administrative. Jep kontribut historiko-letrar duke shpalosur kujtimet e vetat se Çakorri gjithmonë ka qenë i Kosovës. Por, meqë politikën e bën tjetërkush, ky zë proteste mbetet vetëm në letër. Dhe meqë ata nuk dëgjojnë reagimin e tij, Arifi proteston edhe kundër politikës së Kosovës, kundër zyrtarëve të Qeverisë, të cilët, pa as më të voglin dyshim, meqë janë dhënë shumë pas interesave personale, kanë shpenzuar të gjithë energjinë atdhetare që kanë dhënë njëzet vjet më parë, me pushkë në krahë, për ta mbrojtur vendin. U vërsulet edhe njerëzve pa parime, ekspertëve të gjeometrisë që kanë ndërruar deklaratat ndër vite po për të njëjtën punë që kanë bërë vite më parë. Këtë degradim shoqëror s’mund ta kapërdijë Arifi fytngushtë.
Së këndejmi, Arifi u reagon edhe atyre komandantëve të luftës që i kanë keqpërdoruar në paqe, për interesa personale dhe familjare, institucionet e Republikës së Kosovës, duke u pasuruar shpejt dhe duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës shumë. Ata kanë bërë mirë që kanë luftuar dhe e kanë çliruar vendin nga Serbia, po ata s’kanë të drejtë as të veprojnë kundërligjshëm dhe as të na thonë, shkruan Arifi: “Ne ju çliruam, ne kemi të drejtë t’ju pallojmë!” Tekefundit, nëse bëjnë kështu si thonë, morali i tyre bie përtokë, paralelisht me respektin tonë për ta. Dhe, ne, Arifi dhe ju të tjerët që shkruani letërsi dhe lloje të tjera të shkrimeve ende me laps, do t’i mbrehni majat e tyre edhe më tutje që t’i denonconi fenomenet e këqija të tyre, me shpresë se një ditë do të marrin fund. Këtë militarizëm të shkruar me shkas herë në Hamburg e herë në Kosovë duhet ta lexoni sepse, ashtu sikurse në këtë libër, e mirë dhe e keqja, lufta dhe liria janë përbrenda jush.
Kaq pata unë.

Të ngjashme