Promovohet libri “Qark i (pa) mbyllur burgjesh” i autorit Enver Dugolli

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Enver Dugolli, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, ka promovuar librin “Qark i (pa)mbyllur burgjesh” në 20-vjetorin e  kësaj masakre ku janë shpalosur kujtimet dhe kohët e vështira në burgje gjatë luftës së së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ish i burgosur politik Hydajet Hyseni tha se libri i Enver Dugollit është monument për të gjithë ata që vuajtën dhe humbën jetën ne luftën e fundit në Kosovë.

Sipas tij, Enveri solli librin e pranverës së përgjakur të vitit 1999 në Dubravë, ngase Enveri ishte dëshmitar i gjallë dhe tipik.

“Libri sjell kujtime që tregojnë pranverën e përgjakur 99. Atëherë kur një popull hidhej jashtë kufijsh e disa po vriteshin brenda. Enveri ishte dëshmitarë, ishte i ri i brezit. Enveri është dëshmitarë i gjallë dhe tipik i masakrës. Nuk dihet për momentin nëse do të ndërtohet monument për të vrarët në Dubravë, por libri i Enver Dugollit  është monument kushtuar mijëra të vrarëve, është edhe aktakuzë dhe zë proteste ndaj  cinizmin e  politikave vendore dhe ndërkombëtare që vazhdojnë të heshtin kundrejt krimeve”, ka thënë Hyseni.

Shkrimtari dhe ish i burgosuri Adem Gashi tha se libri “Qarku i (pa) mbyllur burgjesh” i kujton vitin 1981 kur ishte i burgosur politik në burgun e Dubravës.

Ai tha se libri është dëshmi e tragjedive tepër të rralla.

“Dugolli është autori, dëshmitari, vuajtësi i tragjedive tepër të rralla. Nuk më ka rënën të lexoj diçka më të saktë”, tha ai.

Redaktori i librit, Elvis Hoxha, tha se në këtë libër sheh një përpjekje që autori e thotë dëshminë, që ka munguar deri tash.

“Rasti i librit te Enver Dugollit është dhuratë. E lexova librin dhe e shoh një përpjekje të Enver Dugollit të thotë dëshminë. Ne kemi pasur kaq shumë vuajtje sa s’kemi mundur as të dëshmojmë. Ne duhet të fillojmë të ndajmë dëshmorin nga dëshmitari. Ne nuk kemi profesorë, ne nuk kemi institucione, nuk kemi doktorë shkence, s’kemi akademi shkencore, këtë kur ta mësojmë kur të bëhemi heronj. Prandaj unë këtë libër e quaj libri i parë dëshmi”, tha ai, raporton EO.

E, autori i librit, Enver Dugolli, tha se duhet të ketë shumë libra të tjerë që tregojnë krimet që ka bërë Serbia ndaj shtetit të Kosovës. Ai tha se krimet që kanë ndodhur kanë vetëm një emër dhe vulën e Serbisë.

“Shpreh falënderim për të gjithë pjesëmarrësit, për të gjitha nënat që kanë bërë për ne, ishte kohë pa kohë, ishte kohë kur baballarët, vëllezërit,dajallarët s’kishin mundësi të vinin sepse ishin të përndjekur, ishin nënat ato që merrnin atë rrugë të gjatë. Janë me mijëra libër që do të duhej të ishin sepse të gjithë kanë nga një tregim. Krimi që ka ndodhur ka emër, mbiemër, ka vulën e Serbisë fashiste, kjo duhet të potencohet gjithkund dhe gjithandej”, tha Dugolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme