Promovohet monografia “60 vjet futboll në Komunën e Skenderajt” e autorit Bekë Abazi

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Është promovuar monografi “60 vjet futboll në Komunën e Skenderajt” e autrit Bekë Abazi .E në këtë libër flitet për historikun e futbollit në trevën heroike të Drenicës, e që plotëson mozaikun historisë së qëndresës për një periudhë të vështirë, por edhe të lavdishme të popullatës së këtij rajoni.

Aty gjenden të dhëna për kushtet dhe rrethanat e asaj kohe dhe për njerëzit që kanë qenë pjesë e epokës së futbollit në Drenicë.

Postimi i plotë:

Me rastin e promovimit të monografisë “60 vjet futboll në Komunën e Skenderajt”, të autorit, Bekë Abazi, 7 shtator 2021, Skenderaj)

Një monografi për lojën magjike në trevën heroike

Një libër për historikun e futbollit, lojës magjike, në trevën heroike të Drenicës, konkretisht në Komunën e Skenderajt, plotëson mozaikun e historisë së qëndresës për një periudhë të vështirë, por edhe të lavdishme të popullatës së këtij rajoni. Skenderaj ishte komuna më e varfër e Kosovës. Aty nuk investohej, meqë ata që dirigjonin me aparatin e atëhershëm shtetëror, e dëshironin Drenicën të dërrmuar. E dëshironin të tillë për ta ndalur hovin e shpirtit liridashës dhe gatishmërisë për sakrificë. E donin të thyer bastionin që nuk ishte thyer asnjëherë. Ata madje nuk donin që në Drenicë të kishte as futboll, as lojë, as jetë…

Por drenicakët nuk u thyen asnjëherë. Ata e vazhduan lojën. Ata e vazhduan futbollin pa pyetur për vështirësi. Nuk kishin fusha, nuk kishin veshmbathje, nuk kishin kushte, por kishin dëshirë dhe vullnet të madh.

Loja e futbollit në Kosovë në një kohë ishte shpërthim, ishte një lloj lufte ndaj aparatit të dhunës serbe. Futbolli ofronte mundësi kundërvënie. Regjimi serb në vitet ’90 i ndoqi futbollistët shqiptarë nga stadiumet, por nuk pati mundësi t’i ndaj nga futbolli. Gradualisht futbollistët e dikurshëm filluan të shndërrohen në luftëtarë të lirisë. Ky ishte një evoluim i natyrshëm. Ishin të njëjtit njerëz që po përshtateshin me rrethanat.

Ka shumë, por emri i komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi-“Sulltani”, futbollistit të shndërruar në luftëtar, dëshmon dashurinë e njeriut të kësaj treve për liri. Si e tillë monografia për 60-vjetorin e futbollit në Skenderaj, nuk është thjesht një histori vetëm e futbollit, por histori e një periudhe të përpjekjeve të mëdha për liri e pavarësi.

Ndryshe monografia përshkruan në formë kronologjike me pjesë tekstuale, dokumente dhe fotografi, historikun 60 – vjeçar të futbollit në Komunën e Skenderajt. Në pjesën e parë është bërë një hyrje për futbollin në Kosovë, në rajonin e Mitrovicës dhe mandej për zhvillimin e futbollit në Skenderaj. Pas një historiku të shkurtër për këtë komunë të Kosovës, autori ka ofruar të dhëna për fillimet e futbollit në Skenderaj.

Aty gjejmë të dhëna për kushtet dhe rrethanat e asaj kohe dhe për njerëzit që kanë qenë pjesë e epokës së futbollit në Drenicë. Një pjesë e mirë e monografisë u kushtohet klubeve të futbollit si “Buduçnosti”, “Skenderaj” dhe “Drenica”, të cilat identifikohen me futbollin në Komunën e Skenderajt. Gjithashtu ofrohen të dhëna për organizatorët, donatorët, futbollistët dhe rrethanat në të cilat është luajtur futboll. Në këtë monografi gjejmë rezultate të klubeve nga Skenderaj në vite, momente kyçe të lidhura me futbollin, fotografi të rralla dhe dokumente që pasqyrojnë historikun e futbollit 60-vjeçar.

Autori i kësaj monografie, duke qenë edhe vet pjesë e zhvillimit të futbollit në Skenderaj, si futbollist në një kohë të vështirë, por plot entuziazëm, ia ka dalë të përmbledh material tepër me vlerë që dokumentojnë rrugëtimin e topit të futbollit për 60 – vjet me radhë në këtë trevë heroike.

Të ngjashme