QKK hedh poshtë ankesat për shkelje në konkursin e projekteve filmike

Prishtinë | 18 Gus 2017 | 09:20 | Nga

Qendra Kinematografike e Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet e dy kineastëve për shkelje e parregullsi në procesin e konkursit të sivjetshëm për mbështetje të projekteve filmike.

Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka ardhur në përfundim se gjatë vlerësimit të aplikantëve dhe përzgjedhjes së projekteve fituese që do të subvencionohen nga buxheti i shtetit janë zbatuar rregulloret dhe ligjet adekuate.

Ankesat e paraqitura nga Arben I. Kastrati, përfaqësues i shtëpisë filmike “AIK”, dhe Faton Lakna, producent i filmit të animuar “Viti 2040”, janë marrë parasysh vetëm në një pikë. Dhe kjo sa i përket kërkesës së Kastratit për qasje në dokumente zyrtare.

“Këshilli Drejtues i ka trajtuar me seriozitet dy ankesat dhe jemi përgjigjur. Për njërën ankesë nuk kemi gjetur fakte relevante për ato që kërkohen. Kastratit i është aprovuar kërkesa për të pasur qasje në dokumente zyrtare. Përgjigjja u është bërë gati”, ka thënë Selman Jusufi, kryetar i Këshillit Drejtues të QKK-së.

Juria vlerësuese për projektet e metrazhit të gjatë artistik, debutant dhe koproduksion minor, e përbërë nga: Isa Qosja, Sevdije Kastrati, Bernd Buder, Zeynep Atakan, Artur Tahiraj, Dritan Huqi dhe Ramadan Musliu, ishte emëruar nga Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Edhe vitin e kaluar juria qe akuzuar për joprofesionalizëm e QKK-ja për shkelje ligjore.

Të ngjashme