Ragip Sylaj, shkrimtari që mëtoi ta gdhendë gjuhën shqipe

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 10:59 | Nga

I cilësuar shkrimtar i ndritur i letërsisë, i cili përmes poezisë e prozës mëtoi ta gdhendë gjuhën shqipe, Ragip Sylaj dha një kontribut për kulturën në vend. Ai vdiq të hënën mbrëma në moshën 59-vjeçare. Lamtumira e fundit iu dha të martën gjatë ditës në varrezat e qytetit të Suharekës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ani pse ka qenë master i teknologjisë, Sylaj një jetë ia kushtoi letërsisë. Përveç poezisë e prozës, ai shkroi edhe dramë, ese e kritikë letrare. Në vitin 1986 botoi librin e parë me poezi “Hije e gjallë”, me të cilin kishte marrë çmimin “Hivzi Sulejmani”, që u jepej autorëve të rinj për librin më të mirë. Ndërsa në vitin 1999 u nderua me “Penën e artë” të revistës për kulturë, art dhe letërsi “Fjala” për poezinë më të mirë, “Kurth për liridashësin”, të botuar midis dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë. Po ashtu është fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme letrare. Poezia dhe proza e këtij autori janë përfaqësuar në disa antologji në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.

I lindur në Sllapuzhan të Suharekës, Sylaj për një kohë punoi edhe si mësimdhënës në shkollën “Skënder Luarasi” në qytetin e tij të lindjes, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota Sot” e “Zëri”, në Prishtinë. Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Në mesin e tyre edhe “Anatomija e rrënjes” (1989), “Obsesioni” (1992), “Estetika e misterit” (2008), “Dy drama” (2012), “Hiri i fjalës” (2014) e “Harmonia estetike” (2015).

Krahas krijimtarisë së tij, Sylaj nga kolegët e tij përkujtohet edhe si person me virtyte të shumta.

“Ai ishte një prej shkrimtarëve më të ndritur që i ka pasur letërsia shqipe. Ka qenë një prej njerëzve që iu kushtua artit vazhdimisht, e po ashtu edhe nga ana njerëzore ishte njeri që rrallë gjen sot. Do të na mungojnë shpirtgjerësia, virtyti dhe humori yt i këndshëm. Ishe shumë i pastër për këtë botë të njollosur”, ka thënë shkrimtari Adil Olluri.

Sipas shkrimtarit e studiuesit të letërsisë Agron Gashi, njëherësh kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, kontributi i Sylajt në letërsinë shqipe ka qenë i madh. Ai e ka kujtuar edhe si mik e njeri pozitiv.

“Ragipin e kemi njohur herët. Është i njohur si poet, prozator e tregimtar dhe qe besa dramaturg. Por ajo që më ka bërë përshtypje tek ai, edhe pse nuk ka qenë në fushën e letërsisë – sepse ka të kryer shkollimin për teknologji – është marrë në mënyrë sistematike edhe me kritikë letrare”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, Sylaj qysh me librin e tij me poezi është dalluar me stilin e tij dhe qasjen unike.

“Qe me botimin e tij të parë në vitin 1986 deri tek i fundit është dalluar, sepse ka punuar në gdhendjen e gjuhës shqipe, e në anën tjetër edhe qasja e tij në letërsi ka qenë ndryshe”, ka thënë Gashi, i cili vdekjen e tij e ka cilësuar si humbje shumë të madhe.

“Mbi të gjitha ai ka qenë një bashkëpunëtor i revistës ‘Jeta e re’, dhe i shumë aktiviteteve kulturore. Edhe si gazetar e publicist e si njeri i mirë ka qenë shumë bashkëpunues. Ai ka mbështetur të gjithë pa dallim moshe, për të rinjtë apo të vjetër. Ka shkruar edhe për autor të rinj, por mbi të gjitha ai qëndron si poet shumë i mirë, por edhe si tregimtar”, ka thënë Gashi.

Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare “Kultstrofa”. Ai ka fituar po ashtu çmimin për librin më të mirë për poezi “Kam drojë për ty”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës. Ka kryer disa trajnime që kanë të bëjnë me lëmin e marrëdhënieve me publikun. Që nga 3 maji i vitit 2009 punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Prandaj edhe ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Grajçevci, në një postim në rrjetin e tij social Facebook ka përmendur kontributin e tij në këtë fushë, duke e vlerësuar edhe si shkrimtar.

Të ngjashme