“Reja” mbetet në Tiranë

Prishtinë | 25 Maj 2018 | 14:19 | Nga

Prej një jave, në edicionin e dytë të saj, Reja është kthyer në qendrën e aktiviteteve kulturore në Tiranë, ndërsa dje në mbrëmje kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, ndoqën një shfaqje kërcimi japonez Butoh.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që në tre vjet, Tirana ia doli të shtojë gamën e aktiviteteve artistike e kulturore për publikun. “Kjo ka qenë një ëndërr e imja për qytetin dhe më vjen mirë që pas 3 vitesh, jemi në një situatë ku në një natë ndodhin 5-6 aktivitete kulturore të ndryshme. Pra, tashmë dilema është ku do shkojmë më parë. Ndaj, u jam shumë mirënjohës bashkëpunëtorëve të cilët e financojnë, e ndihmojnë dhe i japin energji “Resë””, tha ai.

Veliaj nënvizoi se instalacione të ngjashme si “Reja”, do të vendosen edhe në zona të tjera të Tiranës. Artistë dhe arkitektë të njohur në botë kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të lënë një gjurmë të tyre edhe në kryeqytetin shqiptar, që pritet të nxisin jetën artistike në Tiranë.

“Ata që jetojnë në Tiranë e ndiejnë se nuk janë vetëm kalimtarë ose rezidentë të përkohshëm, por duan të lënë një gjurmë fizike ose kreative për qytetin. Po diskutojmë si mund ta zgjasim qëndrimin e Resë në Tiranë, por edhe për të sjellë një instalacion të arkitektit Bjarke Ingels nga galeria Serpentine. E po ashtu, jemi në negociata me Stefano Boerin për të sjellë “Radurën”, një tjetër instalacion që do t’i jepte hijeshi qytetit”, njoftoi kryebashkiaku.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme