Revista “Akademia” prezantohet në Trieste

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Më 11 qershor, në një ndër lokalet historike të Triestes, janë prezantuar numri i katërt dhe i pestë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botim i Shtëpisë Botuese “Armagedoni” në Prishtinë. Prezantimin e revistës e ka hapur kritiku letrar Enzo Santese, i cili ka folur për vlerat e revistës dhe u ka bërë analizë teksteve të shkrimtarëve italianë të cilat janë botuar në numrin e katërt të revistës. Gjithashtu, Santese ka çmuar shumë edhe punën e përkthyeses Leonora Buçinca për t’i përkthyer 40 poezi të 20 poetëve bashkëkohorë italianë dhe publikuar në revistë. “Jemi në epokën e kapitalizmit. Sot, edhe pse mendojmë se askush nuk do t’ia dijë për vlerat e vërteta, gabohemi, sepse ka disa njerëz në botë që kujdesen për to. Neve derën e bashkëpunimit mund të na hapte edhe ndonjë revistë prestigjioze sllovene apo austriake. Ja ku i kemi, në prag të shtëpisë, matanë rrugës. Por, këtë vepër madhështore që e bëri revista ‘Akademia’ për të gjithë ne, s’e bënë as sllovenët e as austriakët. E bëri Prishtina. E bëri shtëpia botuese ‘Armagedoni’. E bëri poetja dhe përkthyesja Leonora Buçinca. E bëri zemra e madhe e një kryeredaktori shqiptar, e Beratit që, siç më ka thënë Leonora, punon pa ndalur për kulturën, sepse e do, e respekton dhe e nderon punën e vet dhe të të tjerëve. Kjo revistë, përpos që ringjalli të vdekurit në gjithë botën, ua rriti jetën të gjallëve me përfshirjen e teksteve të shkrimtarëve të kombësive të ndryshme shkruar ndër vite. Kush thotë sot që Kosova është e largët, larg nesh, e ka gabim. Kosova tani është më afër nesh se shtetet e tjera fqinje. Dua ta vizitoj këtë shtet të sapolindur sa më parë”, ka thënë kritiku italian Santese, i cili, nëpërmjet bashkëpunimit të përkthimit të teksteve nga gjuha shqipe në italiane, ka komentuar edhe disa prej teksteve të autorëve shqiptarë dhe të huaj që janë prezantuar në numrin e katërt dhe të pestë të revistës.
Fjalë rasti në përurimin e dy numrave të revistës “Akademia” ka mbajtur edhe përkthyesja Leonora Buçinca, e cila i ka falënderuar shkrimtarët për pjesëmarrjen dhe i ka njoftuar ata që kjo revistë që botohet në Prishtinë e përurohet sot në Trieste, sot në atë qytet festohet Dita e Çlirimit. “Sot është 20-vjetori i çlirimit të qytetit të kësaj reviste, Prishtinës së bukur. Vendi im u çlirua falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë heronjve dhe dëshmorëve e viktimave të shumta. Po ashtu, falë edhe miqve tanë ndërkombëtarë. Natyrisht, edhe falë ushtrisë italiane e cila shpëtoi një popull të tërë nga gjenocidi, popullin shqiptar, popullin tim. Shpresoj të mos ju nevojitet kurrë ndihma për luftë, as e jona e as e askujt, sepse e di që nuk do të mund t’ju ndihmojmë aq sa na keni ndihmuar edhe në kohë lufte, edhe pas saj nëpërmjet ndërtimit të ekonomisë familjare dhe shtetërore të shkatërruar nga regjimi serb. Por, ne, në vitin e kaluar dhe në këtë vit, kemi pasur mundësinë t’jua shtrijmë dorën e bashkëpunimit në kulturë, për publikim të krijimeve tuaja letrare në revistën më të madhe që sot ekziston në Kosovë, e që quhet ‘Akademia’, e cila botohet një herë në katër muaj. Do të bashkëpunojmë edhe më tutje, për të tjerë numra të revistës dhe të tjerë përvjetorë të çlirimit të Kosovës dhe të Prishtinës”, është shprehur përkthyesja Leonora Buçinca, anëtare e redaksisë së revistës “Akademia”.
Ndër të tjera, Buçinca ka folur edhe për rolin e revistës brenda territorit të Kosovës dhe jashtë saj, për bashkëpunimin edhe me krijues të shteteve të tjera evropiane, për të përkthyer për numrin e ardhshëm disa prej intervistave që ka dhënë ndër vite, për mediat italiane, shkrimtari Umberto Eko. “‘Akademia’ pret bashkëpunim me mendje të ndritura. Nuk bën dallim as të racës, as të ngjyrës, as të kombësisë, as të gjinisë. Bën këtë dallim dhe përjashtim: teksti duhet të jetë i botueshëm dhe të mos jetë i botuar më parë në ndonjë medium”, ka thënë Buçinca.
Mbrëmja e përurimit të numrit të katërt dhe të pestë të revistës është mbyllur me leximin e poezive të autorëve Enzo Santese, Alessandra Flores d’Arcais, Marina Torossi, Tristano Tamaro, Elena Giacomin, Giacomo Garzya, Roberto Coccolo etj., nga dy poezi të të cilëve janë botuar në numrin e katërt të revistës “Akademia”. Ndërkaq, fotografitë e kësaj ngjarjeje kulturore i ka realizuar Alexandra Mitakidis me kërkesën e anëtares së revistës “Akademia”, Leonora Buçincës.

Të ngjashme