Rritet interesimi i turistëve për të vizituar Apoloninë

Prishtinë | 28 Pri 2018 | 13:18 | Nga

Interesi i turistëve të huaj për Parkun Arkeologjik të Apolonisë është në rritje, ndërsa investimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore që po ndërmerren së fundi pritet të shtojnë më tej fluksin e tyre.

Në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj shprehet se, “interesi normalisht është në rritje, jo vetëm për Apoloninë, por për gjithë Shqipërinë nga turistët e huaj, të cilët duan të zbulojnë një vend mesdhetar, por relativisht të panjohur prej tyre”.

Fluksi në këtë fillim sezoni, sipas saj , është gjithmonë në rritje dhe kjo duket dita-ditës në grupet turistike që e vizitojnë parkun, shumica e të cilëve janë gjermanë, francezë e italianë këtë periudhë.

Këtë tremujor, thekson Durmishaj, Apoloninë e kanë vizituar mbi 1000 vizitorë. Me fillimin e sezonit, sipas saj, ky numër i tejkalon këto nivele, pasi hyjmë në zemër të sezonit turistik, ku trashëgimia kulturore është në fokus nga turet turistike.

Për Drejtoreshën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore që të çon drejt këtij siti, konkretisht segmentit Fier-Seman, është një faktor nxitës dhe lehtësues në ardhjen e grupeve turistike, por edhe individëve me kampera dhe vizitorëve vendas gjithashtu.

Kjo jo vetëm për Apoloninë, por për gjithë pjesën e bregdetit të zonës së Fierit, tha ajo.

Apolonia është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme