Sa lexohet libri sot?

Prishtinë | 11 Jan 2018 | 13:41 | Nga Islam Balaj

“Informacioni mund të gjendet pafundësisht kudo, gjithkund – po ku mund ta gjejmë diturinë”? Pyet kolosi i kritikës letrare dhe profesori i shkencave humane: Harold Bloom.

Sa lexohet libri sot, libri artistik në veçanti? Ose më saktë, kjo pyetje mund të ishte shtruar edhe kështu: cili është raporti libër-lexues sot?

Kjo është një pyetje që shtrohet shpesh, jo vetëm këtu te ne, por edhe tek popujt tjerë. Që do të thotë se ky është një preokupim jo vetëm i krijuesve, por edhe i mbarë shoqërisë bashkëkohore në përgjithësi. Mirëpo dallimi qëndron këtu, se te popujt me tradita kulturore, disiplina e fortë intelektuale që ata i kanë imponuar vetes në çdo kohë, u jep mundësi atyre të kenë një konceptim më të qartë për kulturën, artet,(letërsinë në veçanti) dhe jetën në përgjithësi. Pra, u jep mundësi të kenë një qëndrim më objektiv e më të qëndrueshëm, si dhe një këndvështrim më të gjithëmbarshëm e më universal për universin dhe shpirtin njerëzor.

Sido që të jetë, sot, mosleximi është bërë një dukuri shqetësuese, dhe se njerëzit e kanë ndjesinë se leximi është shndërruar gati në një barrë. Kjo vërehet si tek fëmijët, ashtu edhe tek moshat më të rritura, studentët etj. Në vend që libri të kuptohet si një pasuri e patjetërsueshme, si një kulturë më vete, si një mundësi e mrekullueshme dhe gati profetike, në kërkim të formave të reja të njohjes së artit suprem që quhet jetë. Ata harrojnë se ajo çka paraqesin vargjet për shembull, nëpërmjet mizikalitetit të fjalëve, është gjithmonë një ndjenjë ëmbëlsie, edhe kur ato përcjellin përjetime ankthi. Jo më kot thuhet se poet është ai që zbulon gëzime të reja…

Prandaj “Mënyra për të krijuar një shije të mirë është të lexuarit e poezisë”. Thotë:Joseph Brodsky. Mos të harrojmë se në kenema, edhe imazhi që shohim në ekran, ka kaluar nëpërmjet një teksti të shkruar… Prandaj me të drejtë Giovanni F. Sagredo e himnizon shpikjen më të madhe të njerëzimit, alfabetin. Sado që temperamenti i ndikuar nga Saturni, karakterizohet si temperament melankolik, soditës dhe i vetmuar. Pra, ai është një temperament që u përket vetëm artistëve, poetëve e mendimtarëve. Gjë që dukshëm bie në kundërshtim me temperamentin e ndikuar nga Merkuri i cili është i prirur drejt shkëmbimeve, tregtisë e zhdërvjelltësisë. Sepse vetëm ata (artistët, poetët, mendimtarët) imagjinojnë synime më të thella sesa ato që në mënyrë makiavelike e kanë krijuar simbolin e dobishëm e të llahtarshëm të parasë. Pra, në këtë kontekst, shtrohet pyetja: mos vallë rënia e interesit për lexim, lidhet me mungesën e vetëdijes (kulturës)për fjalën e shkruar, apo vendin e librit po e zë interneti…?!
George Will pohon se: “Sot fëmijët shpenzojnë kohë pranë lodrave elektronike, mesatarisht 5.5 orë në ditë”.

Ndërsa sipas Presidentit të Bibliotekave të Amerikës, vetëm 31% e studentëve që diplomohen, janë në gjendje të lexojnë një libër kompleks. Kjo është e tmerrshme!
Pra, për fat të keq, kjo gjë nuk po ndodh vetëm te ne. Mirëpo te ne kjo dukuri është më e theksuar se kudo tjetër.

Unë në fakt, do t’i pranoja të dy këta faktorë që i theksova më lart. Pra, mungesa e vetëdijes (kulturës), si një faktor më vete, si dhe interneti, si faktor tjetër i mundshëm që drejtpëdrejt apo tërthorazi po ndikon në mosleximin e librit sot. Pa u ndalur shumë te Rey Bradbury i cili shprehet në mënyrë skajshmërisht të çuditshme për këtë dukuri kaq shqetësuese:

“Mesa merret vesh, në shoqërinë bashkëkohore, gjëja më e mirë për njerëzit, është interneti. Madje edhe leximi (leximi i letërsisë në veçanti) nëpërmjet ekranit të kompjuterit sot është bërë si të thuash “modë”. Por në fakt, letërsia dixhitale është ankth për librin”. Ndërsa për një bibliofil siç është rasti i Stephen King-ut, kjo do të ishte ëndrra më makabre. Ai në librin e tij: ” Riding the bullet”, thotë: “ Librat kanë peshë dhe një strukturë të brendshme dhe të jashtme; është kënaqësi t’i mbash në dorë”.

George Bernard Shaw, shkruan: “Çdo libër që ia vlen të rilexohet, buron nga shpirti”. Octavio Paz gjithashtu shkruan: “ Më pëlqen të rilexoj…nuk kam besim tek njerëzit që nuk rilexojnë”. Ndërsa Stephane Mallarme e thotë edhe më bukur: “Bota është bërë për të përfunduar në një libër të bukur”.

Pas gjithë kësaj që u tha më lartë, pra, krejt natyrshëm lindin pyetjet: Ç’po bëhet vallë sot për t’ia ndërruar drejtimin kësaj dukurie kaq shqetësuese? Mos vallë lexuesve duhet t’ua mësojmë leximin si art?! Apo t’ua themi edhe ne librave, ashtu siç u tha Hamleti fantazmave?: “Lamtumirë fantazma! Bota nuk ka nevojë më për ju. As për mua. Bota që e pagëzon me emrin progres prirjen e saj për një përpikëri fatale, kërkon t’iu bashkojë mirësive të jetës përparësitë e vdekjes. Njëfarë mjegullnaje mbretëron ende, por ende edhe pak kohë dhe gjithçka do të qartësohet; ne do të vërejmë më në fund mrekullinë e një shoqërie kafshërore, një fole thneglash të përsosur e përfundimtare”.

Në këtë kontekst, unë do të shtoja se letërsisë në radhë të parë i mungon kritika e mirëfilltë letrare. Rrallë herë më ndodh të lexoj diçka të vlefshme në to. Kritikë të mirëfilltë letrare nuk ka, apo ka fare pak. Sepse pikërisht kritika është ajo e cila e dallon librin e mirë nga libri jo i mirë ose i dobët. Kritika letrare, si të thuash, është ajo porta nëpër të cilën duhet të kalojë çdo vepër letrare me vlerat që ka. Sipas George Steiner-it, një nga tre funksionet e kritikës letrare është që: “ Të na tregojë se çfarë të lexojmë dhe si”.

Ndërsa brenda përbrenda vetë letërsisë do të thoja, duhet të ketë një letërsi që unë do ta quaja “letërsi elitare”. E cila letërsi në njëfarë mënyre do ta ngriste në një nivel më të lart jo vetëm artin letrar, por njëherësh edhe vetëdijen shoqërore përgjithësisht. Por mendoj se në këtë drejtim, ende duhet edhe shumë punë për t’u bërë.

Nga ana tjetër, ndoshta letërsisë i mungon dhe një auditor lexuesish të pasionuar e që ky do t’ishte edhe një kusht tjetër më shumë, që letërsia të mbijetojë dhe të eci përpara. Veç kësaj, asaj i mungon dhe një përkrahje financiare institucionale. Dhe ka vite që kjo përkrahje mungon. Ashtu siç mungon dhe angazhimi institucional në prezantimin e artit tonë letrar jashtë. Për rolin e shtetit, Octavio Paz shkruan: “Nëse shteti kërkon vërtet të favorizojë krijimin e lirë letrar dhe artistik, duhet t’u drejtohet shkrimtarëve dhe artistëve, dhe jo atyre që flasin në emër të tyre, pothuaj përherë pa të drejtë e pa prestigj”. Dhe në fund fare, do të thosha, atë që e ka thënë Friedrich Nietszche, kohë më parë: “Mungojnë edukatorët …prej kësaj rrjedh dekadenca e kulturës sonë…”. Në këtë drejtim, autorët po përballen me shumë vështirësi të kësaj natyre. Prandaj do të ishte mirë të krijohej një fond për favorizimin e letërsisë dhe artit, i cili do të funksiononte në mënyrë të pavarur, ashtu siç ekziston në Angli dhe në vende të tjera.

Pavarësisht nga kjo, mund të them se ka letërsi dhe krijues shumë të mirë, edhe pse këta janë të paktë. Sepse fundja, puna që bëjnë krijuesit (shkrimtarët), është që ta mbajnë gjallë kulturën tonë kombëtare, gjuhën tonë në veçanti, si njërën nga arritjet më mëdha të kombit tonë. Prandaj krijuesit e mirëfilltë, nuk duhet të luhaten ndërmjet parajsës së humbur të gjuhës adamiane dhe aftësisë për t’i bashkuar fjalët me sendet (botën). Pra, të: “Tokës së premtuar ku gjuha është ajo që është”, thotë Italo Calvino. (Pasqyre.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme