Saimir Strati, përfundon veprën e Shën Terezës në Festën e Flamurit

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 09:17 | Nga

Ndërkaq drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj, përveç që tha disa fjalë për veprën, ai theksoi se institucioni të cilin ai e drejton do të propozojë që kjo vepër të hyjë në listën e përhershme të Trashëgimisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Nisi me 1 nëntor dhe sot pikërisht me 28 nëntor, të 1.5 milionë kopsat e telit ishin në vendin e vet. Shkuam herë pas here që ta shohim atë mrekulli, por pamja që Shën Tereza, kishte marrë sot ishte mahnitëse.

Artisti Saimir Strati, i cili synon Guinness-in e dhjetë me veprën të cilën e ka bërë dhuratë për gjithë popullin shqiptarë, e zbuloi atë sot në Festën e Flamurit në Muzeun e Kosovës, ku edhe do të qëndroj vepra. Për të nderuar punën e këtij mjeshtri të madh siç u quajt nga audienca, të pranishëm ishin shumë miq, familjarë, qytetarë e dashamirë të artit në përgjithësi.

Nuk kishte shumë fjalë për të thënë për këtë kryevepër ta quajmë. Ajo fliste vet. Kësisoj edhe artisti me pak fjalë iu drejtua të pranishmëve për të cilët hapësira ishte e vogël.

“Për të thënë faleminderit do të ishte shumë pak. Këtë vepër të madhe nuk do të mund ta realizoja dot pa atë mikpritje e pa atë dashuri që ju sollët tek unë. Unë kam tejkaluar pritsh-mëritë e mija në veprën time, dhe jam i lumtur që kam tejkaluar pritsh-mëritë për pritshmërinë”, u shpreh Saimir Strati.

Ndërkaq drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj, përveç që tha disa fjalë për veprën, ai theksoi se institucioni të cilin ai e drejton do të propozojë që kjo vepër të hyjë në listën e përhershme të Trashëgimisë së Kosovës.

“Një ditë kur mjeshtri Strati i preokupuar me fluksin e madh të refugjatëve nga lindja e mesme në Evropë e nëpër botë, thotë “Të ish Nënë Tereza gjallë, ajo do kish bërë diçka”.

Ndërkohë fillon të preokupohet me diplomacinë botërore, me marrëveshjet të cilat nuk po mbërrijnë ta sjellin paqen, do të thotë të gjitha këto letra kapen me kopse teli, dhe këto kapëse po shkojnë huq, ai thotë se a mundem të krijoj unë diçka që këto kopse të mos humbin të mos shkojnë dëm. Ai e zhvillon idenë dhe thotë se me këto kopse të vogla, a mund ta krijoj një sipërfaqe të madhe ashtu siç e ka bërë Nënë Tereza, e vogël e imët, nga një popull i vogël, ia mësynë botës dhe kontribuon sa asnjë tjetër”, pohoi Boshtrakaj, i cili tutje tha se kjo vepër do të jetë një thesar nën mbrojtjen e shtetit.

Kësisoj, nuk kishte si të mungonte edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi. Ai tha se kjo vepër është një dhuratë e çmuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Nuk ka dhuratë më të bukur se sa kjo sot për festën e pavarësisë. E sjellë një artist dhe një shenjtore se bashku. Ata bashkëpunuan pavarësisht asaj se njëri është në altarë ndërsa tjetri gjallë, ata me ndjenja e me shpirt kanë bërë këtë gjë kaq të bukur”, tha Minxhozi.

“Paqja vjen me një buzëqeshje”, do të qëndrojnë në një pjesë të veçantë të Muzeut të Kosovës. Pikërisht kjo paqe vjen me buzëqeshjen që sjellë Shën Tereza, në këtë vepër madhështore të punuar nga artisti Saimir Strati, i cili përveç teknikës tejkaloi edhe kohën për Guinness-in e dhjetë, për të cilin edhe konkurron.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme