Salman Rushdie sjell romanin për ShBA-në midis Obamës dhe Trumpit

Prishtinë | 10 Shk 2017 | 12:28 | Nga

I premtuar të jetë “i fundit mbi identitetin, të vërtetën, terrorin dhe gënjeshtrat”, romani i ri i Salman Rushdies, që dramatizon tetë vjetët e fundit të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të publikohet në shtator, transmeton The Guardian.

Lajmin e ka dhënë botuesi i shkrimtarit me nam. Sipas shtëpisë botuese “Jonathan Cape”, romani i tetëmbëdhjetë i Rushdies, i titulluar “The Golden House”, shtjellon rrëfimin “e një filmbërësi të ri amerikan, përfshirjet e të cilit me një familje sekrete të përndjekur nga tragjeditë, i mësojnë se si të bëhet burrë”.

Duke nisur me inaugurimin e presidentit Barack Obama më 2008, libri i Rushdies do të përfshijë edhe ngjarjet aktuale politike e shoqërore, përfshirë edhe ngritjen e partisë ultrakonservative “Tea Party”: skandalin e “Gamergate”, që u përcoll me ngacmimin e përhapur nëpër rrjete online të gazetarëve që raportojnë për lojërat, i kategorizuar si debat për etikën e mediave: debatin rreth politikës identitare e në rend të parë “ngritjen e një njeriu të lig, ambicioz, narcizoid, me njohuri në funksionimin e mediave, njeri që përdor makijazh dhe ngjyros flokët”.

Michal Shavit, drejtoreshë e botimeve në “Jonathan Cape”, e ka cilësuar këtë botim “romanin e fundit për identitetin, të vërtetën, terrorin dhe gënjeshtrat”. Ajo ka thënë se “Golden House” ishte “roman brilant, zemërthyer, realist, që jo vetëm se është çuditërisht parashikues, por edhe shfaq punën e njërit nga rrëfimtarët më të mirë botërorë në majat e fuqive të tija”.

Rushdie është më së miri i njohur për romanin e tij të vitit 1988 “Vargjet satanike”, që pretendohej se përçmonte profetin Muhamed, dhe për këtë autori kishte marrë tri kërcënime me vdekje, duke e detyruar të merrej nën mbrojtje të policisë. Romani i tij i fundit, “Dy vjet, tetë muaj dhe njëzet e tetë net”, i botuar më 2015 – ekuivalent me “Një mijë e një net”, përmbledhja klasike me përralla – rrëfen për një luftë ndërmjet botës humane dhe një tjetër bote të popullarizuar për gjenerata të tëra me xhind.

Ky libër po ashtu portretizonte paksa një president amerikan: “një burrë jashtëzakonisht inteligjent, elokuent, mendimtar, të zhytur në mendime, të matur në fjalë dhe vepra, valltar i mirë (megjithëse jo aq sa gruaja e tij)…i pashëm”. Ishte vlerësuar gjithandej si një rikthim i Rushdies pas memoarit të tij të vitit 2012, “Joseph Anton”. Ursula Le Guan kishte shkruar në kritikën për librin se lexuesit duhet “ta admirojnë kurajën në këtë libër, ngjyrat e ashpra të tij, stuhinë, humorin dhe të kënaqen në zemërgjerësinë e shpirtit të tij”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme