Secili e korrë atë që e ka mbjellë

Prishtinë | 24 Dhj 2016 | 09:58 | Nga

Poeti, prozatori e dramaturgu Ragip Sylaj (Sllapuzhan, 1959) përgjigjet në pyetjet e rubrikës “Jepi Zërit”. Sylaj, zyrtar i lartë për publikime në MPJ, është autor i 15 veprave letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë letrare. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pyetjen apo pyetjet që më shpesh i bëj vetes janë: Pse kam ardhur në jetë? Pse nuk jam më i përsosur për ta arritur atë që i duhet njeriut për të qenë i lumtur në këtë botë? Ku qëndron kuptimi i jetës? Pse brenda njeriut ka ligësi e djallëzi aq të mëdha sa këtë (fatkeqësisht) mund ta dëshmojnë thuajse çdo ditë krimet e mëdha e tragjeditë e tmerrshme në akëcilin vend të botës? A ka shpresë për njeriun e për njerëzimin dhe kur do të pushojë që njeriu ta hajë njeriun? E shtroj shpesh edhe një pyetje absurde: a mos jam njeri që ka tepruar nga lufta?! Shpeshherë shtroj edhe pyetje naive dhe egoiste si p.sh.: Pse nuk lexohet më tepër në vendin tonë, pse nuk i kushtohet kujdes më i shtuar dijes, prej së cilës kanë buruar të gjitha të mirat që ia kanë lehtësuar jetën njerëzimit. Në disa nga këto pyetje jam munduar të përgjigjem edhe nëpërmjet krijimtarisë sime letrare, por vetë fakti se ato i shtroj edhe sot flet më së miri për pafundësinë e tyre metafizike.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimi im i zakonshëm brenda një dite duket kështu. Zgjohem në orën 6 të mëngjesit. Pasi e pi(më) kafen me gruan time Elmazen (mësimdhënëse në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë) hip në autobusin e linjës Prizren – Prishtinë. Në Prishtinë shpeshherë e marr autobusin urban për të shkuar deri në zyrën e PMJ, ku punoj. Pas tetë orësh punë, kthehem në stacionin e autobusëve, ku e marr autobusin e linjës Prishtinë Prizren. Qëndrimin në autobus të shumtën e herëve e shfrytëzoj për lexim, për korrigjime tekstesh të ndryshme, e nganjëherë edhe shkruaj. Jo rrallë këtë rrugë e bëj edhe me biseda interesante për çështje të ndryshme nga të fshehtat e jetës, të dijes e të arteve.

Shpeshherë brenda një dite bëj edhe udhëtime shpirtërore nga gjendja fataliste, ku katandisem shpeshherë, deri te fantazitë më të bukura që mund t’i pjellë mendja e njeriut për të mirën time, të familjes e të kolektivitetit që i takoj dhe për plane të ndryshme krijuese.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Librat që qëndrojnë më dukshëm në vitrinën e kujtesës sime janë të shumtë, duke filluar nga “Epi i Gilgameshit”, për të vazhduar me ato të Homerit, përrallat arabe “1001 net”, tragjeditë e Shekspirit (veçmas “Hamleti”), “Profeti” (Khalil Gibran) etj. Këto janë vepra të gjenive që flasin për disa nga domethëniet e ekzistencës njerëzore për qëllimet e saj, për mirësinë e dinakërinë, për mrekullinë e fatkeqësinë. Sa kanë përmbajtje të përsosura, disa herë me dimensione edhe fantastike, po aq janë vepra të thënieve e të mendimeve të përkryera. Si të tilla ato janë ushqim shpirtëror, që në kohë a momente të caktuara e ngushëllojnë dhe i japin besim njeriut për t’i përballuar stuhitë jo të vogla të jetës.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare, njeriu nuk ka si të ndihet ndryshe, pos i brengosur, i shqetësuar dhe disa herë i tronditur. Këto brenga, shqetësime e tronditje kanë të bëjnë me familjen e me shoqërinë, ndërsa unë në të shumtën e herake orvatem që ato t’i shndërrojë në art, duke e konsideruar mllefin si forcën motorike të krijuesit.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura dhe arti janë shprehje e nivelit të ndërgjegjes, por edhe të vetëdijes së një shoqërie, si dhe shenjë e zhvillimit të përgjithshëm të saj. Si e tillë, ajo (kultura) krahas veprimtarive të tjera shpirtërore, intelektuale, shkencore e arsimore e përplotëson jetën e njeriut. Sidoqoftë, kultura dhe zhvillimet e saj ndër ne mbeten për të dëshiruar. Përkundër kësaj, të besojmë që jemi më mirë se dje e të shpresojmë që jemi më keq se nesër. Kultura është jo vetëm emblema por edhe kurora e zhvillimit të një kombi apo shteti. Ajo është treguesi dhe shenja e zhvillimit dhe e emancipimit të një shoqërie, e cila udhërrëfyes kryesor në këtë botë e ka punën dhe ligjin… Ndoshta bashkë me arsimin, kultura është arma më e mirë për ta mundur a vrarë injorancën, armikun më të madh të mirësisë e të lirisë.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Kjo gjendje periodike kohore mund të ketë shumë shpjegime, qoftë të rrafshit social (a sociologjik), psikologjik e emotiv, qoftë të dimensioneve të tjera të matshme, siç është ai ekonomik. Dje, mund të them se, kam qenë më i ri dhe më me pak përgjegjësi dhe ndoshta edhe më me pak kërkesa ndaj vetes, ndaj jetës e ndaj të tjerëve. Sot ndërkaq, është një tjetër moshë, në të cilën ajo që më ka mjaftuar dje nuk më mjafton sot, por më trondit; ajo që ka mundur të më lumturojë dje nuk më lumturon sot, sepse tash jetoj në dimensione të tjera të kërkesave e të aspiratave, qofshin ato të nevojave familjare, shoqërore e krijuese. E nesërmja herë më frikëson, sepse dikur vjen një moshë e një kohë, kur diçka a shumëçka bëhet e pamundur, por është shpresa ajo që na bënë të fluturojmë qiellit të mrekullisë ose t’i bindemi ligjit universal se secili prej nesh do ta korrim vetëm atë që e kemi mbjellë.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Për bukurinë, përsosmërinë, filozofinë e tërë brenda saj dhe magjinë që ka sjellë a krijuar gjeniu: “Mona Liza” e Lenardo da Vinçit; kënga “A vjen për mu’ pranvera? / A zbardhë për mu’ ma dritë?” – këtë këngë, tregonte mixha im Dalipi, gjyshja ime Gjyla nga mërzia që kishte për humbjen e vëllait të saj (Xhemës) në masakrën e Tivarit, në pranverën e vitit 1945, për t’u ngushëlluar a për t’u qetësuar nga dallgët e pikëllimit kërkonte që t’ia këndonte im atë, Kadriu; dhe filmi “Troja” (nga David Benioff dhe Wolfgang Petersen) për krejt atë bukuri e madhështi, tmerr, tragjedi e dashuri njerëzore (përzier bashkë me hyjnoren) që ngërthen kjo vepër e madhe (me origjinë letrare) kinematografike dhe për porosinë që përçon te shikuesi. (Zëri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme