Skena kulturore duhet të pavarësohet për ta mposhtur politikën

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 22 tetor − Skena e pavarur kulturore duhet të gjejë alternativa të financimit për ta mbajtur gjallë artin e pandikuar nga politika. E sukseset e kësaj skene më pas do të ndikojnë që edhe shteti të ndërrojë qasje sa i përket kulturës. Një gjë e tillë duhet të bëhet sidomos në vendet siç janë shtetet ballkanike. Këto çështje janë diskutuar në dy panele të ndara të shtunën në qendrën “Multimedia” në Prishtinë në kuadër të edicionit të parë të “Qendra.Multimedia.Theater.Showcase.2018″.

Në panelin e parë me temë “Gjeografia kulturore e Ballkanit Perëndimor: Interaktiviteti midis estetikës dhe politikës”, përfaqësues të shoqatave kulturore nga vendi e rajoni kanë shpalosur përvojat e tyre.

Ares Shporta që udhëheq fondacionin “Lumbardhi” në Prizren ka rrëfyer për rrugëtimin e tyre dhe ringjalljen e kinemasë që mban emrin sikurse Fondacioni. Sa i përket varësisë së skenës së pavarur ndaj shtetit, është diskutuar mundësia që ajo të mos marrë fare fonde shtetërore. Por, sipas Shportës, varësia është çështje e diskutueshme edhe nëse financimi bëhet nga institucione private.

Financimi i ngjarjeve kulturore sa i përket pavarësisë krijuese del të jetë një problem tejet i madh në Serbi. Sasha Iliq, i cili boton revistën “Beton” në Beograd, ka thënë se në njëfarë forme mund të thuhet se udhëheqësit politikë e shtetërorë mund të quhen edhe kuratorë të ngjarjeve kulturore. Sipas tij, Serbia bën hapa prapa në një kohë jo të mirë.

Në panelin që është moderuar nga ish-ministri i Kulturës i Malit të Zi, regjisori Janko Ljumoviq, Drita Llolla, e cila me shoqatën e saj në Ulqin organizon disa aktivitetet siç është edhe festivali e filmit “Seanema Film Festival” që në verën e sivjetme shënoi edicionin e katërt, ka thënë se nuk e kanë pasur aspak të lehtë që të nisin punën. Duke treguar se qëllimi i tyre ishte kthimi i kinemasë në qytet, ka thënë se nevojë e popujve është që ta njohin e ta pranojnë kulturën e njëri-tjetrit.

Petar Andonovski nga Shkupi ka thënë: “Çfarë ministrie kemi kur nëse shkon për financim të botimit të Biblës dhe të një monografie të satirës në vitet ’90, Bibla përkrahet e monografia jo?”

Gazetarja, shkrimtarja e redaktorja e revistës gjermane “Der Spiegel”, Elke Schmitter, ka bërë një trajtim filozofik të problemit. “Sipas Hana Arendt, nëse njerëzit janë gënjyer një herë, pse duhet të besojnë se nuk do të gënjehen më”, ka thënë Schmitter. Por me këtë nuk është pajtuar moderatorja e panelit, shkrimtarja gjermano-kroate, Alida Bremer. Sipas mendimit të saj, korrupsioni zë vend edhe në këtë shtet evropian. Për këtë ka marrë shembull se vetëm në Gjermani në autostrada nuk është e kufizuar shpejtësia.

Florina Doli, drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Iniciativa Kosovare për Stabilitet”, ka thënë se shtetet e Ballkanit përballen me korrupsionin. Sipas saj, ky fenomen luftohet por jo edhe shumë.

Për pavarësi ka marrë shembull “Kohën Ditore” dhe mediat e tjera të Grupit KOHA.

“Por nëse shkoni në studiot e Kohavisionit do të shihni se janë më të dobëtat nga televizionet. Pra, pavarësia ndikon”, ka thënë ajo. Në këtë rast është ndihmuar edhe nga dramaturgu Jeton Neziraj. Sipas tij, për shumë çështje mediat e tjera i “mbyllin sytë”,por jo edhe “Koha Ditore”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme