“Skënderbeu ishte mburojë dhe inspirim për lirinë kombëtare ndër shekuj”

Prishtinë | 15 Jan 2018 | 17:03 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në Prishtinë është organizuar ora e madhe letrare “Ora e Gjergjit”.

Manifestimi është iniciuar nga Bashkimi i Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë dhe mbajtur nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Haradinaj tha se me këtë manifestim po e nisin Vitin Jubilar për Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, të cilin ai e quajti mburojë  dhe inspirim për ta ruajtur lirinë kombëtare ndër shekuj, raporton Ekonomia Online.

“Po e nisim Vitin Jubilar për Kryetrimin e Arbërisë, që shqiptarëve ua ndjelli guximin, e u zgjoi mendjen për ta fituar lirinë kombëtare! Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u përket shqiptarëve por edhe ballkanasve tjerë, sepse ai u përkiste tri feve, ndërsa kronistët thonë se fliste gjuhët e Ballkanit”, lexoi Haradinaj.

“Gjergji ynë është pararendës i multikulturalizmit dhe multifetarizmit, që sot janë vlera të përbashkëta, por ideali i tij ishte liria e kombit. Hyjnitë ua falën arbërorëve Gjergjin për t’i frymëzuar, për t‘ua ndezë zjarrin e guximit, për të vepruar pareshtur për të mbajtur gjallë patriotizmin shqiptar, deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe me sjellë edhe pavarësinë e Kosovës”.

“Me manifestimin “ORA e GJERGJIT” po nisemi në rrugëtimin epik përgjatë Vitit të Skënderbeut, sepse ideja e luftës për liri na bënë bashkë dhe na mban në këmbë edhe sot pas 550-vjetësh. Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit Haradinaj, Gjergj Kastrioti ishte dhe vazhdon të mbetet fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përhershëm, por që na u gjendën edhe në ditët e vështira dhe me të cilët jemi edhe sot. “Gjergji na është bërë mburojë, përkrenare ndër shekuj, dhe inspirim për ta ruajtur lirinë kombëtare edhe me çmimin e jetës”.

Shkrimtari Reshat Sahitaj, në emër të Bashkimit të Shoqatave të Shkrimtarëve Shqiptarë, tha se është nderë që Vitin Jubilar për Skënderbeun po e hapin shkrimtarët.

“Po e hapim me vargjet e poetëve, të cilët nuk u pajtuan me robërinë e u shndërruan në plumba. Krijuesit janë shpirtra rebelë; jo vetëm qe nuk pranojnë robërinë nga armiku por kritikojnë edhe qeverinë në liri”, u shpreh ai.

“Personalitetet politike duhet të kuptojnë shpirtin dhe imagjinatën e shkrimtarëve, sepse nëse kritikojmë e kemi për të mirën tuaj”.

Pas fjalimeve, orë letrare ka vazhduar me vargje nga krijues të te gjitha viseve shqiptare. Gjithashtu, këngëtarja Shkurte Fejza interpretoi një këngë kushtuar heroit më të madh kombëtar të shqiptarëve.

Në fillim, me një minutë heshtjeje u nderua edhe profesori dhe poeti Basri Çapriqi, i cili u nda dje nga jeta.

 

Të ngjashme