Sllovenia e Kosova me koncert të përbashkët kulturor

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 15:35 | Nga

Kosova do të jetë pjesë e organizimit të fushatës kulturore që do të zhvillohet në fillim të muajit në shtetet e Evropës Juglindore. Kjo gjë u bë e ditur sot nga ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen i cili u prit në takim nga zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti.

Zëvendësministri Hoti e vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin që shteti slloven ka me Kosovën, dhe e çmoi konkretizimin e projekteve të përbashkëta kulturore.

Ai shprehu gatishmërinë e MKRS-së, për të promovuar vlerat kulturore të Kosovës përmes përkrahjes së organizimeve dhe nismave të ndryshme, që është edhe një prej politikave të ministrisë.

Ndërkaq, ambasadori slloven Majhen, e falënderoi zëvendësministrin Hoti për gatishmërinë e shprehur, që shkëmbimin e përvojave në aktivitetet dhe organizimet kulturore ta finalizojnë në projekte të përbashkëta konkrete.

Ambasadori slloven e informoi zëvendësministrin Hotin për organizimin e një fushate kulturore e cila do të zhvillohet në fillim të muajit maj në shtetet e Evropës Juglindore ku përfshihet edhe Republika e Kosovës, si një rast për të transmetuar vlerat kulturore të rajonit të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Majhen, tha se në kuadër të kësaj fushate në Prishtinë do të mbahet një koncert, në të cilin artistë nga Sllovenia e Kosova do të performojnë bashkërisht.

Të dy u pajtuan për organizimin e një ngjarjeje të këtillë në Kosovë, e cila është një mundësi që të përçohen vlerat kulturore të vendit tonë dhe të bëhet një promovim edhe më i madh i Kosovës në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme