Sot 125-vjetori i Kongresit të parë gjuhësor shqiptar

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Sot shënohet 125-vjetori i Kongresit të parë gjuhësor shqiptar, i cili u mbajt nga data 1 deri në 3 tetor të vitit 1895, në Koriliano Kalabro të Provincës së Kozencës. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme, e cila u pasqyrua gjerësisht në shtypin italian dhe europian të kohës.

Tema e këtij kongresi ishte prezantimi i aspekteve gramatikore, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, të gjuhës së lashtë, të ëmbël e melodioze, që arbëreshët e ruanin dhe e kultivonin me dashuri dhe patriotizëm shembullor.

Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit Garopoli te Korilian-Kalabro dhe morën pjesë 25 kongresistë gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe. Ky aktivitet shkencor, gjuhësor e patriotik u ndoq nga afër prej 500 pjesëmarrësish të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjës, Pulias dhe Sicilisë.

Ky njihet si aktiviteti i parë tekniko-gjuhësor dhe patriotik, për krijimin e alfabetit, për shkrimin e gjuhës shqipe, në të cilin u hartuan dhe miratuan alfabetin e gjuhës shqipe me grafema latine.

Të ngjashme