Teatri dyfishon publikun krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 11:09 | Nga

Teatri Kombëtar i Kosovës ia ka dalë që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti të ketë publik 100 për qind më shumë sesa që kishte vitin e kaluar për periudhë të njëjtë. Institucioni më i lartë teatror i vendit, po ashtu në këtë masë i ka rritur edhe të hyrat vetjake.

Krejt kjo është bërë nëpërmjet tri premierave të realizuara në skenën e madhe dhe katër të tjerave që janë shfaqur në skenën e vogël, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjatë pjesës së parë të vitit janë dhënë 107 repriza, vetëm 4 më shumë sesa në pjesën e parë të viti të kaluar.

“Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2017, Tetari Kombëtar i Kosovës ka pasur 10 mijë e 349 shikues, ose mbi 5 mijë shikues më shumë se në të njëjtën periudhë të viti 2016”, shkruhet në raportin gjashtëmujor të TKK-së. Sipas këtij raporti, ky institucion gjatë kësaj periudhe ka arkëtuar 13 mijë e 645 euro, 7 mijë e 270 më shumë sesa në të njëjtën periudhë të 2016-s. Sipas raportit, TKK-ja ka pasur edhe 1 mijë e 194 shikues në Festivalin Ndërkombëtar të Bursës në Turqi.

Numri më i madh i shikuesve u takon shfaqjeve të skenës së madhe “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës, “Bordel Ballkan”, me Regji të Andras Urban, dhe “Aventurat e reja të Don Kishotit”, me regji të Dino Mustafiqit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme