Tenori i ri kosovar me rolin e operës “Aida”të Verdit

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 15 korrik – Teatri antik në Sanxay të Francës, në gusht do të jetë mikpritësi i edicionit të 20-të të festivalit “Soirées Lyriques de Sanxay”. Ky festival sivjet do të shfaqë operën “Aida” të Giuseppe Verdit. Pjesë e kësaj opere do të jetë edhe kosovari Granit Musliu. Çdo vit ky festival sjell yje të skenës operistike për të interpretuar opera të njohura. Vitin e kaluar në kuadër të këtij festivali ishte shfaqur opera “Tosca” e Giacomo Puccinit. Edhe atëherë Musliu ishte pjesë e kësaj opere dhe ajo ishte edhe paraqitja e tij e parë në këtë ngjarje.

Në operën “Aida” Granit Musliu do të ketë rolin e priftit bashkë me anëtarë të tjerë, kurse vitin e kaluar në operën “Tosca” ka kënduar pjesë korale të operës. Ftesa për pjesëmarrje në festivalin “Soirées Lyriques de Sanxay” Musliut i kishte ardhur nga drejtori artistik i festivalit, Christophe Blugeon.

“Ai ka shikuar videot e mia duke kënduar dhe duke përcjellë veten me kitarë në rrjetet sociale, po ashtu ka ndjekur performancat e mia në koncertet e ndryshme dhe menjëherë më ka ofruar ftesë të jem pjesë e festivalit”, ka thënë Musliu për ngjarjen që mbahet më 10, 12 dhe 14 gusht.

Këtë vit ai do të performojë në operën “Aida”krahas yjeve të muzikës klasike si Elena Guseva, e cila do të sjellë “Aidën” e Olesya Petrova në rolin e Amnéris. Pjesë e kësaj opere do të jenë edhe Sophie Marin-Degor, Irakli Kakhidze, Vitaliy Bilyy In-Sung Sim, Nika Guliashvili, Luca Lombardo e të tjerë.

Të ngjashme