Tradicional apo digjital? Cila është e ardhmja e librit

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 17:27 | Nga

Si ndryshon leximi nga libri letër në atë digjital? A ka pasoja në tru? Sot, mbi 10 vjet pas digjitalizimit të librave, revistave apo gazetave, shumë po bëjnë pyetje mbi ndikimin që ka leximi digjital te njeriu dhe shoqëria. Në një farë mënyre jemi pushtuar nga informacioni masiv, jemi më të lexuar por më pak të ditur. A është faji i teknologjisë?

Shkencërisht është provuar se memorizimi dhe kuptimi i një teksti është më i mirë në një tekst në letër, se sa në tablet apo kompjuter. Me shumë mundësi kjo lidhet me dy faktorë. I pari i përket asaj që quhet eksperiencë fizike, pra teksti në letër. Duke lexuar, ne kemi shumë shqisa në veprim, pasi ndërrojmë faqet, nënvizojmë, mbajmë librin në dorë, pra rrisim marrëdhënien tonë me tekstin në më shumë zona. Në krahasim me leximin përmes ekranit, kjo gjë rrit më shumë përqendrimin.

Aspekti i dytë i përket organizimit hapësinor të informacionit, sepse është provuar se ka një lidhje mes objektit dhe trurit tonë. Duke shfletuar faqet, truri ka më shumë “pika mbështetje” prej nga memorizon fakte. Kjo ndodh shumë më pak gjatë një teksti në tablet ose akoma edhe më pak në artikujt që lexohen në internet. Pse? Sepse nuk mund të rrimë të përqendruar në një faqe që çdo 30 sekonda hap nga një reklamë të re anash shkrimit.

Avancimi i librit online, në një mijë format e tij, duket se vendosi fundin e librit letër, edhe pse herë pas herë shtrohen debate dhe statistikat tregojnë se ende është një “luftë e hapur” mes të dyve. Jo vetëm që pjesë të këtij debati janë interesat e mëdha, por janë krijuar edhe ideologji të caktuara për të mbështetur këtë ndryshim.

Por para se triumfi i librit pas ekrani të jetë i plotë, duhet pyetur se çfarë humbet dhe çfarë fitohet kur letra të zhduket nga qarkullimi. Me siguri që do të kursehen hapësirat, pasi librat kërkojnë shumë vend. Gjithashtu do të kursehet në peshë, pasi nevojitet forcë për t’i transportuar librat. Po kostot? Nuk është se do të ketë ndonjë impakt në pyje, duke parë që prej kohësh letra riciklohet me rezultate shumë të mira. Por do të “kursehet” në aspektin shoqëror. Do të mbyllen të gjitha shtypshkronjat, fotokopjet, industritë e letrës dhe kartonit dhe gradualisht do të mbyllen bibliotekat dhe libraritë. Një numër i madh njerëzish do të mbeten të papunë, në revolucionin e madh që do të shoqërojë kalimin nga letra në dixhital.

Por përtej këtyre tronditjeve ekonomike, që nuk janë të vogla, do të humbet përgjithmonë lidhja mes librit, shkronjave, letrës dhe lexuesit. A do të ishim gati ta pranonim diçka të tillë?

Kur merr një libër letre, sheh menjëherë trashësinë e tij dhe mendja fillon të punojë se për sa kohë mund ta lexojë dhe sheh herë pas here se edhe sa faqe kanë mbetur, shfletohet për të parë një kapitull që të tërheq, mund të bësh pafund shënime, mund ta japësh hua për të diskutuar më pas dhe sigurisht e ke gjithmonë në bibliotekë. Asnjë nga këta elementë nuk i përket librit elektronik.

Sigurisht që libri i letrës nuk është multimedial: nuk mund të klikojmë në një fjalë dhe menjëherë na shfaqet enciklopedia që na e shpjegon apo të klikojmë emrin e një muzikanti dhe të dëgjojmë këngën e tij. Libri elektronik e lejon këtë lojë, madje është pikërisht kjo që promovon. Kjo është një ndër pikat e forta, e kthen librin në diçka të ngjashme me një spektakël. Por është vetëm një iluzion, pasi leximi nuk del si diçka e lehtësuar por vetëm e shkatërruar dhe e shformuar. Ndërprerjet e shumta zënë vendin e vazhdimësisë dhe përqëndrimit.

Koha e leximit ndahet në fragmente të vogla. Ideja e një teksti të plotë dhe të vazhdueshëm bie poshtë, pasi mund të dilet nga libri në çdo moment dhe më pas kur hyn sërish rrezikon të mos mbash mend titullin apo se kush e ka shkruar.

Nga ana tjetër, libri online ofron komoditet. Mund të blesh një të tillë brenda pak sekondash, në çdo gjuhë dhe ta kesh në tabletin apo kompjuterin tënd. Por pas “bumit” të madh që pësoi online, tani janë vetë lexuesit që kërkojnë rikthim te libri apo te revistat në letër. Një tronditje e tillë i bëri mirë të gjithë botuesve, pasi riformatoi mënyrën se si librat, revistat apo gazetat vinin te lexuesi. Kërcënimi i dixhitales ndaj tradicionales është gjithmonë prezent, por edhe për shumë kohë libri në letër do të jetë më i preferuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme