Tragjedia e gjakut midis Shakespeareit dhe “Kanunit të Lekë Dukagjinit”

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Një nga format e njohura të tragjedisë në shekullin 16 ishte edhe e ashtuquajtura tragjedi e hakmarrjes apo e gjakmarrjes, me të cilën, gjatë asaj periudhe identifikohej krijimtaria dramaturgjike e disa autorëve, shkruan sot Koha Ditore.

Një nga ata, bie fjala, ishte Thomas Kyd (1558 – 1594) me tragjedinë e tij “The Spanish Tragedy” (rreth vitit 1598). Në këtë tragjedi të Kyd-it, sikundër është vënë re, është i dukshëm ndikimi i tragjedive të Seneca-s dhe i novelave italiane, në të cilat hakmarrja apo gjakmarrja shquhej si një nga motivet kryesore.

Ndërkaq, me gjakmarrjen, si motiv kryesor, identifikohen edhe disa nga tragjeditë më të njohura të Shakespeare-it, të tilla si “Tit Androniku” (1594) dhe “Hamleti” (1602). Edhe pse te “Makbethi” nuk është një nga motivet kryesore, ajo, megjithatë, ngjashëm me tragjeditë e tjera të Shakespeare-it, të tilla si “Rikardi III”, “Romeo e Zhulieta”, “Jul Cesari”, “Othello” dhe “Coriolanus”, është një nga motivet e rëndësishme të kësaj tragjedie.

Duke qenë pjesë përbërëse e tragjedive të kësaj natyre, hakmarrja, të cilën Francis Bacon e quante “kind of wild justice”, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me të, për vëmendjen e shikuesve të asaj kohe ishte një nga aspektet më tërheqëse dhe më provokative.

Kështu, p.sh, përderisa, nga njëra anë, kisha dhe shteti, në shekullin 16, hakmarrjen e konsideronin cenim dhe ndërhyrje në një çështje, e cila, siç mendonin ata, ishte monopol i tyre, nga ana tjetër, qarqet e parisë e të fisnikërisë së asaj kohe, sidomos në çastet e anarkisë apo të paaftësisë dhe pavendosmërisë së shtetit për ta identifikuar dhe për ta ndëshkuar krimin, vepronin vetë, sepse këtë çështje e konsideronin, para së gjithash, çështje e kodit të tyre të nderit. /Bekim Lumi

Të ngjashme