“Trashëgimia e Flakës” ekspozohet në Muzeun e Gjilanit

Gjilan | 29 Jan 2017 | 10:56 | Nga

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, përkatësisht Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore që vepron në kuadër të MKRS, në Gjilan është hapur mbrëmë ekspozita me materiale të ndryshme të Manifestimit “Flaka e Janarit”, e cila këtë vit i mbushi 25 vite jetëgjatësi, me gjithsej 26 edicione.

Organizatorët e këtij ekspozimi, Arton Hoxha drejtor i QRKT si dhe Bashkim Nexhipi, koordinator i NJKRS, thanë se përmes kësaj ekspozite po mëtohet të grumbullohet, sistemohet dhe ekspozohet për publik, trashëgimia kulturore e këtij manifestimi në shkallë kombëtare, i filluar në Gjilan, këtu e 26 vite më parë.

Përndryshe, nga katër shtyllat kryesore të Manifestimit, artit muzikor, pamor, skenik e atij letrar, në hapësirat e Muzeut, u shpërfaq një pjesë e programeve të këtij Manifestimi, ndodhur nëpër vite të ndryshme, ndonëse jo i plotë.

Ftesa, drejtuar themeluesve të këtij Manifestimi si dhe vazhduesve, atyre që sot po e realizojnë këtë traditë të begatë kulturore të Gjilanit ishte që, deri në Manifestimin e ardhshëm, mundësisht të përgatitet dhe publikohet edhe Monografia e këtij Manifestimi.

Kjo ekspozitë, e cila ka qenë risia e Flakës së Janarit 2017, do të qëndrojë e hapur deri në përmbyllje të manifestimit më 31 janar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme