Trumpi mbizotëron edhe në natën e aktorëve

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 19:17 | Nga

Vendimi i Donald Trumpit për të ndaluar emigracionin nga 7 vende myslimane ka mbizotëruar edhe ceremoninë e përvitshme të ndarjes së çmimeve “Screen Actors Guild”.

Ashton Kutcher, i përzgjedhur si moderator i mbrëmjes, e çeli shfaqjen me një përshëndetje për të gjithë ata që kanë mbetur në aeroportet amerikane.

Emma Stone, e cila rrëmbeu çmimin e aktores më të mirë te “La La Land”, ndoqi të njëjtën linjë.

“Në një kohë si kjo, kur ndodhin kaq shumë gjëra të tmerrshme, është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e atij grupi njerëzish, të cilët reflektojnë për atë që i rrethon dhe kërkon t’i bëjnë të tjerët të lumtur. Ne duhet ta ngremë zërin kundër padrejtësisë”, tha aktorja Stone.

Denzel Washington, i shpallur aktori më i mirë për interpretimin në filmin “Fences”, kujtoi sa e nevojshme është për njerëzit tani, në epokën e informacionit dhe shkëputjes nga njëri-tjetri, që të gjejnë mënyrën për t’u afruar sërish e t’iu kërkojnë edhe llogari udhëheqësve të tyre.

“Amerikanët duhet të mësojnë si të bashkohen. Unë mendoj se zyrtarëve të zgjedhur duhet t’ua mbledhin të dyja këmbët në një këpucë e t’u kërkojnë bashkëpunim, ose të mos kthehen më në zyrë”, tha Denzel Washington, aktor.

Çmimet “SAG Awards” fokusohen tek interpretimi i aktorëve individualë dhe si grup në filmat artistikë, si dhe në dramat televizive dhe komedinë në seri. “Hidden Figures” u shpall si filmi më i mirë, duke mundur pretendentë të tillë si “Manchester by the Sea” dhe “Moonlight”. Ai tregon historinë e vërtetë të 3 matematicienëve me ngjyrë, gjatë garës hapësinore të viteve ’60.

“Historia tregon atë që ndodh kur ne lëmë mënjanë dallimet dhe bëhemi bashkë. Faleminderit që i keni vlerësuar këto gra. Ato nuk janë më shifra të fshehura”, tha aktorja Taraji Henson. Aktorët më të mirë joprotagonistë u shpallën Viola Davis dhe Mahershala Ali. Ky i fundit kujtoi se ishte djali mysliman i një nëne që është një ministre e krishterë.

Të ngjashme