U promovua romani politik “Dosja B” i Jusuf Buxhovit

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 00:02 | Nga

Tingujt e pianos shkriheshin për mrekulli në atmosferën e ngrohtë të rrethuar me libra, vend ky ku do të ndodhte promovimi i librit më të ri të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

I rrethuar mes miqsh dhe dashamirë të librit, shkrimtari Jusuf Buxhovi promovoi romanin e tij më të ri “Dosja B”, në Librarinë Dukagjini.

Romani “Dosja B”, që sapo ka dalë nga shtypi, trajton tematikën e kohës së shtet ndërtimit nga aspekti i tragjikes nëpër të cilën kaloi ky proces historik në planin gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Botues i këtij romani është “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”.

Për të folur disa fjalë rreth librit, fillimisht fjalën e mori Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica”, i cili tha qëështë një kënaqësi e veçantë të bëhet përurimi i një libri i cili do të zgjojëkureshtjen e lexuesve në radhë të parë për vlerat e tij artistike po edhe për vlerat e tjera që secili lexues mund t’i gjejë në librin në fjalë.

“‘Dosja B’, për arsye të titullit dhe disa elementeve të tjera ka zgjuar kureshtjen e njerëzve dhe po shtrohet pyetja se a është libër dokumentar, por kjo i mbetet secilit lexues që ta lexoj dhe të vërejë e të bindet vetë. Libri merret me problematiken aktuale të vendit tonë në radhë të parë, dhe me një periudhë që për letërsinë mund të jetë e vogël por megjithatë për kohën në të cilën jetojmë dhe ngjarjet të cilat zhvillohen vazhdimisht,është libër i cili pasqyron një situatë të tillë të realitetit tonë”, ka thënë në fjalën e tij Nazmi Rrahmani. Ai tutje tregoi se në këtë libër mund të hasen ngjashmëri të personazheve me realitetin por që këto ngjashmëritë janë të rastësishme.

“Ka personazhe reale të cilat mund të identifikohen apo personazhe të cilat i njohim të gjithë. Libri përveç realitetit që pasqyron ka edhe vlerat e tij artistike të cilat janë të përhershme dhe shumë të qëndrueshme duke i plotësuar kështu kriteret e një romani të mirë”, ka thënë Rrahmani.

Botuesi Ramiz Tafili, nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, ka falënderuar autorin për mundësinë e botimit të librave të tij. Ai premtoi që do të përkthejë edhe disa libra të autorit në gjuhën angleze, e padyshim edhe “Dosja B”, e cila sipas tij po ka shumë kërkesa.

Në fund fjalën e mori edhe autori, Jusuf Buxhovi, i cili tregoi se përqendrimi tij për këtë roman ishte te një proces historik me të cilin Kosova hynë në një fazë të re.

“Bëhet fjalë për periudhën që kemi shpresuar që Kosova dhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar shumë për të do t’i kthehen një normaliteti. Ky roman merret me një plagë shumë të madhe të shoqërisë sonë, ne deri më tash e kemi shikuar triumfalizmin, dhe gjithë konteksti i luftës së fundit është bërë mbi një aspekt triumfalist dhe jo mbi atë që Kosova ka qenë një pjesë e një viktime historikisht shekullore, ndaj së cilën shpëtuam falë edhe angazhimit tonë por edhe të miqve tanë”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, ky libër i kushtohet edhe gjithë atyre miqve dhe kolegëve që morën pjesë në shtegtim dhe në rrethana të ndryshme u vranë qoftë në luftë apo pas luftës, por e dhimbshme është sidomos vrasja e atyre pas luftës sepse jo vetëm qëështë vrarë ideali i tyre por është vrarë edhe një aspekt shumë domethënës, shteti i Kosovës, iluzioni për shtetin e Kosovës, i cili duhej të ndërtohej mbi intelektualët e jo mbi mafinë për pushtet, ashtu siç ka ndodhur.

Ky është një roman politik që kapet me problematikën për përpjekjen për vrasjen e Kosovës, për vrasjen e një procesi historik më të rëndësishmit të Kosovës. Autori një kritikë e kishte edhe për shkrimtarët shqiptarë, të cilët sipas tij kanë filluar që kriminelët t’i kthejnë në heronj duke ju kushtuar vjersha e libra. “Nëse intelektualët nuk do të mendonin për karrierë do të kishim një tjetër situatë politike”, ka thënë për fund Jusuf Buxhovi.

Pas fjalës së autorit, secili nga të pranishmit mori librin në duar për tu drejtuar drejt autorit i cili pa hezitim nënshkruante për secilin. “Dosja B” është një projekt trilogji, dy prej të cilëve kanë dalë dhe pritet të dal edhe i treti. (Kult Plus)

No automatic alt text available.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme