“Upriver” sjell lundrimin muzikor nëpër natyrë e kujtime

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 12:52 | Nga

Armel Dupas para se të nisë interpretimin teston pianon, sintin dhe miksetën. Heq jakën e lëkurës, këpucët e çorapet. Ngjitet në skenë, përkulet para publikut dhe zë vendin e tij. Me njërën dorë në sint dhe tjetrën në piano krijon tingujt e parë. Më pas në miksetë incizon disa tinguj të muzikës elektronike.

Ato përsëriten dhe më pas i kthehet interpretimit në piano. Tingujt që ai krijon janë një gërshetim i jazzit dhe muzikës elektronike. Performanca e tij bëhet gati eksperimentale. Dupas është jazz-pianist francez i cili në Prishtinë të hënën u prezantua me projektin e tij “Upriver”.

Për herë të dytë u bë pjesë e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Në vitin 2012 ai erdhi për herë të parë, por ishte pjesë e trios “Chloé Cailleton Trio”, bashkë me Ronan Courty në kontrabas. Kjo trio bëri muzikë jazz, por tani ai është ndarë prej tyre dhe vazhdon rrugëtimin i vetëm. Ka ndryshuar stilin e jetës por edhe qasjen në muzikë.

Shtëpia që ka blerë në periferi të Parisit, në një vend të rrethuar me drunj e liqene, po i shërben si inspirim për muzikën që bën. Kujtimet e fëmijërisë, lidhja me natyrën dhe qetësinë në të cilën po jeton, ai i shpërfaq tani në muzikë. Eksperimentimi me jazzin dhe muzikën elektronike sjellin rrëfimin e tij në albumin e fundit “Upriver”, të cilin e shpalosi para publikut kosovar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme