Vepra e Sali Bashotës botohet në gjuhën hungareze

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 14:53 | Nga

Poezitë e zgjedhura nga krijimtaria letrare e Sali Bashotës u përkthyen në gjuhën hungareze nga Robert Luari dhe Győri László, shkruan KultPlus.

Këto ditë në Budapest nga botuesi “Napút “ u botua vëllimi poetik i Sali Bashotës me titullin “Albán éjszaka”( “Net shqiptare”).

Poezitë e zgjedhura nga krijimtaria letrare e Sali Bashotës u përkthyen në gjuhën hungareze nga Robert Luari dhe Győri László.

Redaktori i botimit, poeti i njohur hungarez Győri László në pasthënien e vëllimit, ndër të tjera, konstaton:

Për fat të keq lexuesi hungarez nuk ka shumë njohuri për letërsisë shqiptare. I vetmi shkrimtar i pranishëm me disa romane është shkrimtari Ismail Kadare, por poezia shqiptare është e largët për ne. Me disa përjashtime, për shkak të vështirësive të gjuhës edhe atë nuk e kanë përkthyer në hungarisht nga shqipja, por nga frëngjishtja apo anglishtja. Tek ne ka shumë pak të cilët e njohin shqipen.

Albanologu ynë i shquar István Schütz e kuptonte, madje ka shkruar edhe vepra shkencore për gjuhën shqipe, por ai tashmë nuk jeton”. Më tutje, Győri László thekson: “Imagjinoni sa e panjohur është letërsia kosovare tek ne. Këtu do t’iu paraqesim disa pjesë me poezi të një poeti shqiptar nga Prishtina. Ajo që ka pësuar Kosova në dhjetëvjeçarët e fundit ka goditur edhe autorin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shtëpinë ia kanë rrënuar, dorëshkrimet e librat ia kanë flakur dhe i kanë vënë zjarrin, fakt ky që në vargjet e tij disa herë perceptohet në mënyrë të mbuluar. Natyrisht, po ashtu, edhe e kaluara e shqiptarëve, vuajtjet e tyre.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që për gjuhën dhe popullin shqiptar ka shumë gjëra të pasqaruara, për sa i përket prejardhjes së popullit dhe gjuhës shqipe, gjuha e tyre është indoevropiane, por përbën një ishull të veçantë. Ata e konsiderojnë veten ilirë, por supozohet edhe prejardhja nga Thrakia.

 

E theksojmë këtë, sepse edhe Bashota i sjell në vargje paraardhësit. Ai nuk është poet i radhës, është i lidhur me letërsinë e sotme botërore. Ai jeton me fantazinë befasuese, herë bizare, kështu ne lexuesit duhet të zgjidhim mozaikun e ideve që poezitë e tij të marrin kuptimin e plotë. Më tej nuk jemi ne, por flet vetë përmbajtja e poezive”, thekson László në pasthënien e botimit “Albán éjszaka”.

Sali Bashota është autor i tridhjetë e pesë veprave në poezi, prozë poetike, ese dhe studime letrare, ndërsa në gjuhë të ndryshme të botës deri më tani i ka botuar këto vepra: “Only Death is White”/”Vetëm vdekja është e bardhë”(në gjuhën angleze); “Beauté maudite” /”Bukuri e nëmur” dhe “ Allume la lumière magique” /”Ndiz dritën magjike”( në gjuhën frënge); “Schalte das magische Licht ein”/ “Ndiz dritën magjike”(në gjuhën gjermane); “Il gioco delle foglio”/”Loja e gjetheve”( në gjuhën italiane); “Exilul Sufletului” /”Ekzili i Shpirtit” dhe “Ploaia fara Tine” /”Shiu pa Ty” ( në gjuhën rumune); “När himlen tystnar” /”Kur hesht qielli”(në gjuhën suedeze); “Прокълната красота” /”Bukuri e nëmur”( në gjuhën bullgare): “Ako stanam angel”/”Nëse bëhem engjëll”(në gjuhën maqedone); “Η άλλη όψη του”/ “Pamja tjetër e botës”( në gjuhën greke).

“Albán éjszaka”/ “Net shqiptare” është libri më i ri i Sali Bashotës i botuar në gjuhën hungareze.

Poezia e Sali Bashotës është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq veprat e tij janë promovuar në Paris, Sète, Bukuresht, Sofie, Basel, Malmö, etj., si dhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare të poezisë. Bashota është nderuar me çmimet të larta letrare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, siç janë: “Pjetër Bogdani” (1999), “Pena e Artë”(1990 dhe 2000), “Menada”(2004) Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (2006 dhe 2012), “Serembe” (2010), Çmimi i Ministrisë së Kulturës (2012) e të tjerë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme