I vidhet çmimi Nobel mbrojtësit të të drejtave të fëmijëve në Indi

Prishtinë | 09 Shk 2017 | 16:39 | Nga

Mbrojtësit indian të të drejtave të fëmijëve Kailash Satyarthi i është vjedhur Çmimi Nobel për Paqe, me të cilin ishte shpërblyer në vitin 2014. I biri i Satyarthi, Buhvan Ribhu përmes një deklarate ka thënë se mbrëmë në shtëpinë e prindërve të tij, të cilët ndodhen në udhëtim në Panama, kanë hyrë hajdutë të cilët kanë vjedhur certifikatën e Nobelit dhe një kopje të praruar të medaljes.

Ribhu rikujtoi se babai i tij medaljen e fituar të Nobelit, siç transmeton AA, ia kishte dhuruar presidentit të Indisë Shri Pranab Mukherjee për ta ekspozuar në muze, duke shtuar se ai kishte bërë dy mostra të praruara të medaljes dhe njëra prej këtyre është vjedhur.

Ndërkaq, nëpunësi policor Ramil Banya është shprehur se janë duke i analizuar xhirimet e kamerave përreth dhe se është duke u kërkuar një pjesëtar i sigurisë së lagjes, i cili është përzierë dhe zhdukur. Mbrojtësi i të drejtave të fëmijëve, 63-vjeçari Satyarthi, në vitin 2014 kishte ndarë çmimin Nobel për paqe me mbrojtësen pakistaneze të të drejtave të njeriut Malala Yusufzay, shkruan Koha Jonë.

Që nga vitet ‘90 Satyarthi ka dhënë përpjekje në favor të fëmijëve të cilët detyrohen në punë, ndërkohë që organizata të cilën e ka themeluar, Bachpan Bachao Andolan, ka siguruar lirimin, trajtimin dhe arsimimin e mbi 80 mijë fëmijëve të shfrytëzuar si skllevër.

Ai po ashtu ka patur rol aktiv në Qendrën Ndërkombëtare për Punë të Fëmijëve dhe Arsimimin të themeluar nga organizata joqeveritare, mësimdhënës dhe sindikata nga e mbarë bota, kurse në të njëjtën kohë ka zhvilluar fushata për vetëdijesim mbi konsumin e produkteve të prodhuara nga fëmijët skllevër të detyruar në punë në vendet e Azisë jugore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme