Viti 2019 me mbi 18 mijë shikues në teatër

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Teatri Kombëtar i Kosovës gjatë këtij viti ka pasur 18.500 shikues, përjashtuar këtu numrin e shikuesve të cilët i kanë ndjekur shfaqjet gjatë reprizave në qytete të tjera dhe festivale të ndryshme.

Drejtori artistik i këtij institucioni kulturor, Adrian Morina ka thënë se TKK e ka përmbyllur një vit të sukseshëm artistik pavarësisht problemeve të shumta teknike dhe financiare.

Ai në një intevistë për klankosova.tv deklaroi se krahasuar me vitet paraprake kanë pas një repertor më të qëndrueshëm meqenëse sipas tij kanë pasë  një trup të ansamblit rezident shume të konsoliduar  të cilët e përbejnë bazën e shfaqjeve të cilat i realizuan në skenën e madhe të TKK-së.

“Por këtu duhet falënderuar edhe aktorët të tjerë të cilët janë të angazhuar në shumicën e shfaqjeve të repertorit të rregullt si në skenën e madhe e vecanërisht në skenën e vogël. Duke ditur se jo vetëm teatri por edhe institucionet tjera të kulturës përballen vazhdimisht, që prej pasluftës, me mungesë të buxheteve dinjitoze, mund të konsiderojmë se po përmbyllim një vit me sukses”.

Ai ka folur edhe për shfaqjet që erdhën sivjet në skenën e Teatrit.

“Nëse i referohemi shfaqjeve të inskenuara në skenën e madhe sivjet kemi patur një repertorë komplet me autorë shqiptarë ku nga katër shfaqjet e realizuara 100% e teksteve jaën të autorëve vendas. Pra ky vit është karakterizuar si vit i dramës”.

“Natyrisht, me ligj, është e lejuar të inskenohen edhe drama nga letërsia botërore por ky ka qenë një vendim i këshillit dhe menaxhmentit të TKK-së me idenë e promovimit të dramës kombëtare. Edhe pse për mua cdo shfaqje e realizuar ne TKK-është kombëtare. Shekspiri nuk di se kur ka folur më shqip sesa në shfaqjet “Hamleti”, me regji të David Gothard ose “Nata e 12”, e Ilir Bokshit. Sodoqoftë, për këtë debat mund të zgjatemi një herë tjetër”.

“Gjatë viti që po e lëmë pas kemi realizuar 4 premiera në skenën e madhe dhe 4 në skenën e vogël. Kanë qenë të planifikuara edhe 2 shfaqje, respektivish 1 për secilën skenë, por për shkak të shkurtimeve, mosrealizimeve, buxhetore, jemi detyruar t`i bartim në repertorin e vitit 2020, me shpresë se ky do të jetë vit i teatrit dhe jo vetëm teatrit kombëtar. Sa i përket numrit të reprizave TKK-ja ka realizuar një repertor me 182 repriza në të dyjat skenat, që është nje rekord i shfaqjeve nëse e krahasojmë qoftë edhe me rajonin. Pa modesti, nëse e merrni kalendarin kulturorë të të gjitha institucioneve kulturore në krejtë Kosovës, qofshin në nivel ministrorë apo komunal, teatri kombëtar i vetëm mban kalendar sa të gjitha institucionet tjera kulturore bashkë”.

Morina mes tjerash përmendi edhe çmimin “Shfaqja më e mirë e vitit”, me të cilin u shpërblyen nga Ministria e Kulturës.

Ky çmim është ndarë për shfaqjen “Arturo UI”, me regji të regjisorit të ndjerë Bekim Lumi, që njëherit, ka fituar edhe çmimin regjia më e mirë. E njëjta shfaqje ka fituar edhe në festivalin e Shkupit.

“Shfaqje tjetër e suksesshme, për këtë vit, është edhe shfaqja “Karnevalet e Korces”, me regji të Altin Bashës. Përvec cmimeve që ka marrë si shfaqje në festivalin e komedise në Korce “KOKFEST”, ajo gjithashtu ka triumfuar edhe në “Skupifest”. Njëherit është edhe shfaqja më e shikuar e vitit e që nuk është rastësi kur bëhet fjalë për komedi të realizuar nga regjisori i mirënjohur Altin Basha i cili ripërsërit suksesin e tij me shfaqjen “I ligu për mend”.

Sa i përket vitit 2020, Morina theksoi se do të kenë një program dedikues për emra të medhenj të teatrit.

“Në vitin e ardhshëm presim që të kemi një repertorë shumë të mire dhe të miksuar mirë në mes të teatrit politik; komedisë së teatrit klasik e deri te shfaqjet që i përkasin teatrit muzikor. Nuk po them musical sepse do të dukej shumë ambicioze dhe një kërkesë shumë e madhe për kushtet teknike që i kemi tash e disa vite. Me kërkesë edhe të keshillit edhe të menagjmentit do të përpiqemi të sjellim vepra dhe autorë të painskenuar më parë te ne”.

“Do të kemi një program dedikues për emra të medhenj të teatrit pa të cilët sdo të ishim as ne e as teatri këtu ku është. Artistëve që kanë dhënë shumë për teatrin dhe artin të do tu dedikojmë, duke qenë edhe ata vet të përfshirë në shfaqje,  vepra cfarë ata vërtetë meritojnë. Duke nderuar ata ne ndërtojmë vetën tonë. Këtë risi do e nisim këtë vit…po e lëmë befasi ku?kush?si? etj”.

“Sikur të kisha adresën e “babadimrit”, edhe pse as fëmijët më nuk besojnë në të, do t`i shkruaj një listë dëshirash për TKK-në, e që është shumë e gjatë. E di se duket shumë utopike por artistët sikur mos të besonin se me punën e tyre mund ta ndrsyhojnë botën, atëherë sdo të mireshin fare me artin e tyre. Në këtë listë të “babadimrit” ose “babaministrit” do të kërkoja: Plotësimin e trupës edhe me të paktën 6 aktorë (sic parashihet me ligj); plotesim të stafit të dekoraterëve, ndriçuesve, realizatorëve dhe pjesës tjetër që na mungojnë tash e disa vite; një park ndricues dhe një skenë të renovuar; garderoba e dushe dhe toalete jo më të mira se sa i ka në shtëpinë e tij…Ah, po, do t`i kërkoja edhe një kanalizim të ri, që mos të na merr M…sa herë që bie shi. Në rregull. Për buxhet s’do t”i kërkoj më shumë sepse është i zënë me autostrada”, tha Morina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme