Vjen në shqip poeti më i madh jugosllav

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 17:29 | Nga

Tani, edhe lexuesi shqiptar mund të ketë në dorë veprën e plotë poetike të një autori që mbetet modern në të gjitha kohërat.

Kur letërsia e Bllokut Lindor sundohej nga Realizmi Socialist, Vasko Popa ishte poeti modernist, që martonte në mënyrë të pashoqe surrealizmin me folklorin serb. Tetë vëllime në vargje të shkruara në një periudhë 38-vjeçare…ishte një punë jo pak e lodhshme dhe e gjatë për përkthyesin Andoni, për të sjellë edhe për lexuesin shqiptar një prej poetëve serbë më të përkthyer dhe më me ndikim në botë.

Udhëtimi imagjinar i Popës ngjan me një kalim në univers, por përmes një universi tjetër. Vëzhgimi i këtij lloji udhëtimi ka qenë një nga gjërat më emocionuese në poezinë modern.

Kështu do të shkruante poeti anglez Ted Hughes për veprën e jugosllavit Vasko Popa, në vitin 1977, kohë kur të dy poetët qenë në të gjallë të tyre.

…Dyzet vite më pas, kur vepra e një prej poetëve më të mëdhenj të Ballkanit dhe të letërsisë europiane të shekullit XX ka mbërritur e plotë në shqip me përkthimin e Ben Andonit, poezia e Popës, mbetet po aq moderne, sa në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Kur letërsia e Bllokut Lindor sundohej nga Realizmi Socialist, Vasko Popa ishte poeti modernist, që martonte në mënyrë të pashoqe surrealizmin me folklorin serb.

Tetë vëllime në vargje të shkruara në një periudhë tridhjetë e tetëvjeçare…ishte një punë jo pak e lodhshme dhe e gjatë për përkthyesin Andoni, për të sjellë edhe për lexuesin shqiptar një prej poetëve serbë më të përkthyer dhe më me ndikim në botë.

“Momenti kur nisi përpjekja për të sjellë të plotë veprën e Vasko Popës duket tashme tejet i largët. Në mbërritje, ashtu si një qenie që merr frymë për t’u qetësuar, vepra na kujtonte për atë punë të madhe e të komplikuar që kërkonte përkthimi në shqip i këtij poeti të mrekullueshëm. Përkthimi ngërtheu jo thjesht kohë, por vështirësi të çfarëdollojshme që, të bashkuara me plot befasi dhe pandehje në jetën e përditshme, e bënin këtë ndërmarrje shpesh gati të pamundur” – kështu shkruan Andoni në pasthënien e librit, që në shqip vjen me logon e botimeve “Albas”.

Një nga problemet që përkthyesi ka hasur në trajtimin e poezisë së Popës ishte fakti i përballjes së figuracionit letrar me kuptueshmërinë e subjekteve të tij .

“…ku qenia ishte shpesh inekzistente dhe këtë rol e merrte objekti nga vinte frymëzimi i tij. Në shumë momente, përballë simbolit apo metaforës së Popës duhej të ishe i kujdesshëm se të priste kurthi i të papriturës. Folklori bashkëkohësohej. Jemi të bindur që, njësoj si ai edhe kolegë të tjerë që janë përpjekur ta përkthejnë Popën në gjuhë të ndryshme, nuk do të kenë shpëtuar dot pa e gjetur veten në udhëkryqe apo rrengje të gjetjeve të tij gjuhësore”.

Në përkthimin e përmbledhjes poetike të Popës në gjuhën angleze prej Anne Pennigton, poeti Ted Hughes do të shkruante, duke nënvizuar botën surrealiste që Popa ngre në poezinë e tij, se si qeniet njerëzore nuk shfaqen kurrë të plota.

“Ka një si atmosferë primitive parakrijimi për punën e tij, njësoj si të kishte qenë i pranishëm atje kur e gjithë dinamika dhe formulat ishin gati dhe të ngarkuara, por asfare të krijuara ose thjesht vetëm të ndara në pak fragmente. Qeniet humane ashtu të dukshme dhe si tërësi nuk shfaqen në peizazhet e Popës. Vetëm koka, gjuhë, shpirtra, duar, flakë, objekte të jetësuara që enden si shajni, njësoj si mollët dhe hënat dhe rrëfejnë të pranishmen, gjallëruar me paracaktime të panjohura, çuditërisht të ditura”.

Në rastin e shqipes, cilëson Ben Andoni, vështirësitë shtoheshin kur përballeshin me simbolikën e vjetër sllave, ku gjuha e zhdërvjellët e Popës i drejtohej për ndihmë deri edhe kuptimeve prej të cilave ai është ushqyer: letërsisë mesjetare sllave, poezisë popullore dhe sidomos legjendave të shumta lokale të hapësirës së ish-Federatës. Dhe Popa, ashtu si në jetë, me një qetësi dhe një karakter të shtruar, këtij rebusi i afrohej duke bërë zgjidhjen e tij fare të thjeshtë. “Kjo ishte sfida: Të rrugëtoje në udhë po kaq të thukëta sa ai vetë”.

Letërsia sllave është një letërsi e kultivuar që nga shekujt e shkuar, e ushqyer me një folklor të pasur, që shpesh të kujton folklorin tonë kombëtar dhe sidomos atë ballkanik.

“Një nga vështirësitë më të mëdha të përkthimit lidhej me gjuhën e tij të kursyer, e cila me një saktësi matematikore caktonte fjalët mu aty ku shpreheshin më qartë idetë e tij. Ndaj shumë prej poezive janë si shëmbëlltyra të vogla që fshehin tregime, drama dhe paradokse, që do të kërkonin faqe të tëra për t’i shtjelluar” – vijon Andoni.

Hughes e afron poezinë e Popës me botën e muzikës, ku depoja e shenjave dhe formave të zgjedhura, pranuar nga një botë e jashtme, zbaton kombinime thelbësore, të cilat shpesh kanë diçka të frikshme matematikore të progresioneve dhe simetrive të tyre, por që duket se i takojnë thellë një bote të shpirtrave apo të zemrës, shkruan Mapo.al.

“Ai arriti në këtë liri dhe në këtë stad të pashmangshëm krejt gradualisht. Manierat e tij të hershme shpesh i detyrohen një lloji shumë të njohur të lëvrimit të poezisë moderne surrealiste, edhe ajo gjendet plot sharm te Popa dhe duket e qëllimshme”, shkruante Hughes, ndërsa intuitën e tij poetike e sheh të pakufishme për të penetruar në thelb të universit.

Megjithëse të shkruara në një periudhë të gjatë, të mbajtura në dorë për shumë vjet, ciklet e Popës jehojnë me njëri-tjetrin.
Lexuesi ndjen tërësinë e madhe të qëndrueshme pas mizërisë së pjesëve që e përbëjnë atë.

Asnjë nga ciklet e tij, që qëndrojnë tepër të lidhura ndërmjet tyre, nuk duket se është shkruar me një frymë a me një inspirim të vetëm. Ato duket se janë mbajtur në dorë për shumë vjet, duke u kryqëzuar me njëri-tjetrin, duke mbajtur me kujdes karakterin e gjeneve të tyre, duke zgjidhur plotmërinë e tyre. Udhëtimi imagjinar i Popës ngjan me një kalim në univers, por përmes një universi tjetër. Vëzhgimi i këtij lloji udhëtimi ka qenë një nga gjërat më emocionuese në poezinë moderne.

Hughes e ka lëvduar Popën si një poet epik me një vizion të gjerë, transmeton KultPlus.

Popa lindi në vitin 1922, në atëherë Jugosllavinë e pasi kreu studimet për letërsi në Universitetin e Beogradit, punoi për shumë vite në shtëpinë botuese “Nolit”.

Vepra e tij përfshin vëllimet me poezi: “Kore” 1952; “Fusha e trazuar”, 1956; “Poezi”, 1965; “Qielli tjetër”, 1968; “Krijimi i tokës”, 1972; “Kripa e ujkut”, 1975; “Kopshti i hekurt”, “Prerja”, “Mish i gjallë”.

Ai ishte i pari poet në Jugosllavinë e pas luftës që i iku Realizmit Socialist. Në veprën e tij motivet tokësore dhe legjendare përzihen, mitet dalin në sipërfaqe prej nënvetëdijes kolektive, trashëgimia dhe e përditshmja janë në ndërthurje të vazhdueshme dhe abstraktja pasqyrohet në specifike dhe konkrete duke formuar një dialektikë unike dhe të jashtëzakonshme poetike.

Tani, edhe lexuesi shqiptar mund të ketë në dorë veprën e plotë poetike të një autori që mbetet modern në të gjitha kohërat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme